Videoja e publikuar në medie nxori nga burgu të dyshuarin për narkotik
Valbona Thaçi/ Rtklive
Kur pronari i kompanisë private në të cilën punonte Haxhi Topalli, nga fshati Baicë të Drenasit, e thirri për të vozitur një kamion me mallra për t’i transportuar në burgun e Dubravës, ai nuk e kishte menduar se bashkë me mallin, në burg do të ndalohej edhe vetë.
Gjetja e një sasie të lëndëve të lëndëve narkotike, nga gardianët e burgut, poshtë kamionit që po voziste, e çoi atë prapa grilave, për së paku një muaj e gjysmë, sa u mbajt në paraburgim.
I tronditur nga ajo që u gjet në kamion, Topalli, baba i dy fëmijëve dhe me gjendje jo të mirë ekonomike, u desh të përballej jo vetëm me qëndrimin prapa grilave si i paraburgosur, por edhe me peshën e një krimi, që atij nuk i besonin se nuk e kishte bërë.
Kështu, së paku ka rrëfyer ai para hetuesisë, prokurorisë, gjyqtarit të procedurës paraprake, por edhe avokates së tij. Megjithatë, deri me 26 tetor 2022, përveç avokates dhe familjes së tij, askush nuk i besoi se Haxhiu kishte gisht në këtë vepër.
U desh të kalojnë një muaj e gjysmë që Haxhi Topallit, gjyqtari i procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Pejë, që me 26 tetor 2022, t’ia ndërpresë masën e paraburgimit, për t’ia zëvendësuar atë me masën e arrestit shtëpiak.
Madje, kjo masë u zëvendësua me kërkesë të vetë Prokurorisë Themelore në Pejë.
Në media doli një video nga momenti kur në kamionin që do ta voziste më vonë i arrestuari Haxhi Topalli, për të kryer furnizime të burgut sipas marrëveshjes që kishte kompania ku punonte me këtë institucion korrektues, shihej një person tjetër.
Ky person shihej në video duke vendosur gjëra të dyshimta poshte kamionit, pikërisht në vendin ku ato edhe janë gjetur nga gardianët.
Këta të fundit, sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, të fshehur në atë kamion, gjetën 748 gram substancë të dyshuar narkotike, 11 telefona celularë, 8 kabllo të mbushësve të telefonave, 2 koka të tyre, 5x20 tableta të dyshuara të llojit DBOLMAX dhe 212 tableta të dyshuara si ekstazi.
Në këtë njoftim të publikuar në llogarinë zyrtare në Facebook, Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk përmend në asnjë rast emrin e kompanisë, me të cilën ka marrëveshje për furnizim me mallra ushqimore.
Sidoqoftë, Aurora Mulhaxha, avokatja e të dyshuarit Haxhi Topalli, vazhdimisht ka kundërshtuar se klienti i tij është i përfshirë në një rast të tillë, duke ofruar prova se klienti i saj nuk kishte gisht në këtë rast.
“Duke e marrë parasysh që posedohet një video ku shihet personi që lirshëm kryen veprën penale...,është dashur të kërkohet ndihmë nga qytetaret për kapjen e kryesit e jo te lëndohet një familje e tërë”, tha avokatja Mulhaxha për RTKlive.
I bindur në pafajësinë e tij, i akuzuari që ishte në paraburgim, Haxhi Topalli, madje sipas avokates, ka tentuar ta lëndojë edhe vetën.
Në deklarimin e avokates për RTKlive, të datës 24 tetor, ajo shprehet se i mbrojturi i saj ishte duke u mbajtur padrejtësisht, në paraburgim.
“Nuk ka asnjë provë të vetme direkt apo indirekt”, tha ajo.
“Deri me tani nuk është vërtetuar asnjë dyshim i bazuar, dhe se masa e paraburgimit për të është e papërballueshme, pasi i njëjti ka tentuar edhe t’i bëjë dëm shëndetit të tij”.
Sidoqoftë, me RTKlive është interesuar për këtë rast, duke kërkuar sqarime nga Prokuroria Themelore në Pejë, por edhe Gjykata Themelore në Pejë.
Në pyetjet e dërguara me 25 tetor 2022, nga këto dy institucione u kërkua të mësohet se si ka mundësi që në video, shihet qartë personi teksa ka mundur të vendos gjëra të ndaluara nën këtë kamion, kurse në paraburgim mbahet një tjetër.
Një ditë më vonë, Prokuroria Themelore në Pejë, në përgjigje për RTKlive, deklaroi se kundër të dyshuarit, ka nxjerr aktvendim për fillimin e hetimeve për shkak të veprës penale “Blerja posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
“Për momentin jemi në marrjen e veprimeve intensive hetimore për të cilat nuk mund të deklarohemi në këtë fazë të procedurës. Për zhvillimet e mëtutjeshme do të njoftoheni me kohë”, tha Ersan Qavolli nga kjo prokurori.
Pyetje të ngjashme RTKlive i dërgoi edhe Gjykatës Themelore në Pejë, të cilët nuk kthyen përgjigje, por në vend të saj, me kërkesë të prokurorisë, me aktvendimin datës 26 tetor 2022, të dyshuarit Haxhi Topalli. Ia ndryshon masën, nga ajo në paraburgim në masë arresti shtëpiak.
Aktualisht i dyshuari Haxhi Topalli ndodhet pranë familjes, ndërkohë që hetimet në lidhje me këtë rast edhe më tej vazhdojnë.
Ndryshimi i masës ndaj tij u bë një ditë pasi RTKlive kërkoi sqarime nga Prokuroria Themelore në Pejë dhe Gjykata Themelore në Pejë, se mbi çfarë provash mbahej në paraburgim ky person.























