Osmani priti në takim deputetin e Parlamentit të Ukrainës, Goncharenko
K.Kasumi/ RTKlive
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim deputetin e Parlamentit të Ukrainës, Oleksiy Goncharenko, njëherësh anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.
Në komunikatën për medie bëhet me dije se në takim me deputetin ukrainas, presidentja Osmani ka theksuar se Kosova që prej fillimit të agresionit rus është në krah të Ukrainës dhe se e ka mbështetur atë në mënyra të ndryshme, si dhe i ka bashkërenduar veprimet politike me aleatët evropianë dhe amerikanë.
Në komunikatë shkruan se presidentja ka potencuar se Kosova që prej fillimit të agresionit të Rusisë është në anën e BE-së, ShBA-së dhe vendeve demokratike dhe u është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë.
Sipas presidentes Osmani, populli i Ukrainës po kalon një periudhë jashtëzakonisht sfiduese dhe të vështirë, duke e përballur me agresionin ushtarak dhe krime kundër njerëzimit dhe populli i Kosovës e ka përjetuar një luftë të ngjashme.
"Presidentja Osmani ka theksuar se populli i Kosovës ka hapur zemrën dhe derën për të strehuarit nga Ukraina. Sipas saj, deri më tash në Kosovë kanë gjetur strehim një grup i gazetarëve të Ukrainës, teksa MAT Kosova po zhvillon trajnimin e grave ukrainase në fushën e deminimit", thuhet në komunikatë nga zyra e presidencës.
"Deputeti Goncharenko e njoftoi presidenten se në Parlamentin e Ukrainës është krijuar grupi i deputetëve ‘Miqtë e Kosovës’, të cilët do të shërbejnë si platformë për thellimin e bashkëpunimin parlamentar mes dy vendeve. Deputeti Goncharenko shprehu mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe se do të angazhohet për zgjerimin e mbështetjes për Kosovën brenda Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës", thuhet më tutje në komunikatë.























