Komandanti i KFOR-it dhe Rakiq biseduan për sigurinë në veri të vendit
M.Miftari/ RTKlive
Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, u takua me Goran Rakiqin, kryetar i Partisë Lista Serbe dhe kryetarët e katër komunave veriore të Republikës së Kosovës.
Gjatë këtij takimi njohës, komandanti i KFOR-it, diskutoi për situatën e përgjithshme, veçanërisht për një komunikim të besueshëm dhe transparent, si dhe për aspektet e sigurisë në veri të Kosovës. Ai, gjithashtu, e informoi Rakiqin dhe përfaqësuesit e komunave për aktivitetet dhe përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it për të parandaluar ndonjë përshkallëzim në të ardhmen.
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, siguroi kryetarët e komunave se KFOR-i po monitoron nga afër situatën, veçanërisht në veri të Kosovës dhe mbetet i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij.
Gjenerali Ristuccia u bëri thirrje të gjitha palëve që të shmangin veprimet e njëanshme, të ruajnë qetësinë, të përmbahen nga dhuna dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog. "KFOR-i mbetet i paanshëm dhe i përkushtuar për të ofruar kornizën e sigurisë në të cilën mund të vazhdojë ‘Dialogu’ ndërmjet Kosovës dhe Serbbisë i ndërmjetësuar nga BE-ja".























