Kurti: Kosova qëndron në mbështetje dhe solidaritet me Ukrainën
M.Miftari/RTKlive
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në zyrën e tij deputetin e Parlamentit të Ukrainës, Oleksiy Goncharenko.
Duke i uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, kryeministri Kurti e falënderoi atë për interesimin e tij dhe afërsinë me Kosovën, inicimin e rezolutës për njohjen e Republikës së Kosovës nga Ukraina dhe për mbështetjen e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Tutje, përmes një komunikate të lëshuar për medie, kryeminsitri Kurti e njoftoi deputetin ukrainas Goncharenko me të gjitha vendimet dhe veprimet që Kosova ka ndërmarrë për solidarizim dhe përkrahje të Ukrainës; për vendosjen e menjëhershme të sanksioneve, largimin e vizave për qytetarët ukrainas, pranimin e 11 gazetarëve nga Ukraina të cilët tashmë janë banorë të Prishtinës dhe për format e tjera të solidarizimit.
Më tej bëhet e ditur se Kurti e Goncharenko folën për situatën aktuale në Ukrainë, për rezistencën e admirueshme të popullit ukrainas, rëndësinë për të vazhduar mbështetja ndaj Ukrainës nga vendet demokratike dhe për ndikimin që agresioni i paprovokuar i Federatës Ruse ka pasur në të gjithë kontinentin e Evropës. Në të njëjtën kohë, kryeministri Kurti e njoftoi më shumë për zhvillimet në Kosovë dhe qeverisjen, situatën në rajon, raportet e Kosovës me vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe për raportet e afërta të Serbisë me Rusinë.
Ata gjithashtu folën edhe për mundësitë e bashkëpunimit parlamentar në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, organizatë kjo në të cilën Republika e Kosovës veçse ka aplikuar dhe synon të anëtarësohet. Kosova dhe populli i saj qëndron në mbështetje dhe solidaritet me Ukrainën dhe popullin ukrainas, u shpreh kryeministri Kurti, bëhet e ditur në komunikatë.























