Bajqinovci e Qalaj: Vendimi për targat të implementohet nga 1 nëntori|Video
Muharrem Miftari/ RTKlive
Sonte në emisionin “RTK Prime”, është duke u diskutuar për vendimin e qeverisë për targat ilegale që pritet të fillojë të implementohet nga data 1 nëntor.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci dhe ai i PDK-së, Rashit Qalaj, deklaruan se vendimi për targat ilegale, që janë prezente në veri të vendit, duhet të implementohet nga 1 nëntori.
Bajqinovci: Vendimi i qeverisë për targa duhet të zbatohet
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, theksoi se jemi në një pikë ku nuk ka shtyrje dhe se vendimi i qeverisë së Kosovës për targat duhet të zbatohet.
Ai në emisionin “RTK Prime” tha se ka shumë presion nga strukturat kriminale serbe që po u djegin edhe veturat qytetarëve të Kosovës në veri. “Ata që po i djegin veturat dhe po u bëjnë presion qytetarëve janë bandat e Vuqiçit”, theksoi ai.
Sipas tij data 1 nëntor nuk do të diskutohet. “Nuk duhet të jetë presioni i bashkësë ndërkombëtare mbi datën, por mbi bandat kriminale. Vuqiçi do destabilizim”, tha ai.
Qalaj: Vendimi për targat duhet të zbatohet
Ndërsa deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, tha se PDK mbështet qeverinë e Kosovës kur është në pyetje mbrojtja e integritetit dhe sovranitetit të Kosovës.
“Vendimi për targat duhet të implementohet nga data 1 nëntor”, tha Qalaj. Sipas tij, viktimat kryesore në veri janë vetë banorët serbë që jetojnë në Republikën e Kosovës.
“Presioni i madh është direkt nga aparati shtetëror i Serbisë dhe presidenti Aleksandar Vuçiq”, tha ai.























