Çështja e targave, mes ligjit e politikës
Jeton Musliu/RTKlive
Sa më shumë që afrohet dita kur qytetarëve serbë të veriut të vendit u skadon afati për konvertimin targave nga KM në RKS, e që është 31 tetori, aq më shumë në Prishtinë shtohet zërat për shtyrje të sërishme të këtij afati.
Pavarësisht se Qeveria e Kosovës, fillimisht u kishte dhënë dy muaj kohë qytetarëve të këtij nacionaliteti që t’i ndryshojnë targat e automjeteve, duke u ofruar edhe shumë lehtësira administrative, përfshirë atë në pagesa, e më pas edhe një muaj zgjatje të afatit, pas kërkesës së ndërkombëtarëve, me në krye ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier, shqetësimet se mund të ketë tensione në këtë pjesë të vendit,ka bërë që të riaktualizohet kërkesa për një shtyrje tjetër.
Propozimet janë të ndryshme. Ambasadori amerikan, Hovenier, ka propozuar që kjo shtyrje të jetë 10 mujore kurse deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, që është edhe kryetar i Komisionit parlamentar për Politikë të Jashtme, propozon që ky afat të zgjatet deri me 31 dhjetor.
Madje, kjo cështje është bërë aq e rëndësishme saqë thirrjet për gjetjen e një zgjidhjeje vijnë edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Kështu, të enjten është deklaruar këshilltari special i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, pas një bisede telefonike me kryeministrin Albin Kurti.
Kryeministri Kurti në një deklarim të shkurtër në llogarinë e tij në Tëitter, u shpreh se me zyrtarin amerikan ka biseduar për çështjen e sundimit të ligjit.
Ndërkohë, diplomati Chollet deklaroi gjithashtu në Tëitter se me kryeministrin Kurti ka biseduar për shmangie të tensioneve si dhe mundësinë për shtyrje të afatit për zbatimin e vendimit.
“Sot bisedova me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të diskutuar rëndësinë e shmangies së tensioneve dhe shtyrjes së zbatimit të rregullave të reja të targave, pa konfiskime apo gjoba”, shkroi Chollet.
“Gjithashtu diskutuam për partneritetin tonë dhe synimet e përbashkëta për avancimin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Kosovës”.
Jehonë këtij deklarimi i bëri edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili shpërndau këtë deklarim, duke thënë se –“është e rëndësishme shtyrja e vendimit për targat në mënyrë që të shmangen tensionet”.
“Ne dënojmë gjithashtu veprimet për të frikësuar ose hakmarrë ndaj atyre serbëve që kanë ndërruar targat e tyre në RKS”, shkroi Hovenier.
Por nuk janë vetëm këta diplomatë amerikanë që kërkojnë zgjidhje për këtë çështje.
Ditë më parë ka folur edhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
I pyetur nga ‘Zëri i Amerikës’ se përse i ka kërkuar palës kosovare shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale serbe edhe për dhjetë muaj, Escobar tha se zbatimi ka filluar gjatë verës.
“Atëherë kërkuam një shtyrje të zbatimit për një vit për t’u përgatitur më mirë, në mënyrë që ata vetë të përgatiteshin më mirë”, deklaroi ai. “Që atëherë kanë kaluar dy muaj, kështu që ne jemi ende në kërkim të dhjetë muajve të mbetur”.
Por, Prishtina zyrtare ka qëndrim krejt tjetër në lidhje me këtë çështje. Sipas krerëve të shtetit të Kosovës, çështja e targave ka të bëjë me sundim të ligjit dhe është goditje ndaj bandave kriminale dhe nuk ka të bëjë asgjë me qytetarët serbë të Kosovës.
Në konferencë për media së bashku me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Prishtinë, lidhur me çështjen e targave të enjten është deklaruar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Ajo ngriti si shqetësim djegien e shtëpive dhe makinave të qytetarëve serbë të cilët po i konvertojnë targat e veturave të tyre nga ato ilegale në RKS.
Në një konferencë për media bashkë me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Osmani ka thënë se kjo dëshmon që veprimet e Kosovës sa i përket targave, kanë qenë të drejta dhe janë për sundim të ligjit e barazi, por assesi kundër qytetarëve serbë.
“Lufta jonë është kundër bandave, dhe presim që të kemi përkrahjen e aleatëve tanë edhe në BE edhe në SHBA”, tha presidentja Osmani.
Ajo rikujtoi se çështjen e targave duhet parë në kontekstin e një segment tjetër, pasi ka një kohë që qytetarëve serbë që po e zbatojmë ligjin, po i konvertojnë targat, po u djegën shtëpitë e makinat. “Gjithë këto veprime të strukturave ilegale e kriminale që janë në listën e zezë të SHBA-së, po dëshmojnë që kjo është çështje e sundimit të ligjit”.
Për zbatim të ligjit foli edhe kryeministri Albin Kurti. Sipas tij, me vendimin për targat nuk synohet të befasohen miqtë edhe aleatat e Kosovës, por strukturat kriminale dhe bandat që veprojnë në veri të vendit.
Ndërkohë, për këtë çështje ka reagime edhe nga BE-ja.
“Ne po punojmë me partnerët tanë, jo vetëm ne si BE, por edhe partnerët tjerë, si dhe me autoritetet e Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të parandalohet çfarëdo shkëndije e përshkallëzimit të situatës”, është shprehur Peter Stano, zëdhënës i BE-së.
Në anën tjetër, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi të enjten në Prishtinë, se rregullat është e domosdoshme të respektohen.
“Rregullat janë të qarta dhe duhet të respektohen në çdo shtet. Në të njëjtën kohë nëse ka periudhë tranzitore, tranzicioni duhet të jetë përfshirës, duhet të shkojë siç duhet”, është shprehur ajo.
“Unë e di se është duke u punuar për t’i gjetur një zgjidhje dhe gjithashtu ju uroj për përpjekjet dhe për të gjitha gjërat që janë duke u bërë në kuadër të dialogut”.
Bazuar në vendimin aktual të Qeverisë së Kosovës, deri më 31 tetor, serbët në veri mund të pajisen me targa RKS dhe t’i zëvendësojnë ato me akronime serbe për qytetet e Kosovës, sikurse KM, PZ, PR e të ngjashme.
Deri më tani, vetëm 20 makina janë riregjistruar në RKS, dhe ky numër i vogël – krahasuar me më pak se 10 mijë vetura sa besohet se kanë targa të tilla.























