Osmani: Kujdesi ynë, armiku më i madh i kancerit
Blerim Halimi / RTKlive
(E plotësuar) Armiku më i madh i kancerit të gjirit është kujdesi, derisa mikja më e madhe e secilës grua e vajzë duhet të jetë vetvetja. Kështu ka deklaruar presidentja Vjosa Osmani, në manifestimin tradicional informativo-kulturor me moton “Zbulimi i hershëm – Mbijetesë”, që u organizua në Prishtinë nga Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita” nën patronatin e Presidencës.
Presidentja Vjosa Osmani ka ftuar gratë dhe vajzat për ta shtuar kujdesin e tyre në mbrojtje nga kanceri i gjirit.
“Sa është e rëndësishme preventiva po kaq i rëndësishëm është edhe zbulimi i hershëm, përmirësimi i cilësisë së jetës dhe trajtimi i të prekurve nga kjo sëmundje. Prandaj, ta nderojmë kujtimin për jetët e humbura, ta mbështesim njëra-tjetrën në mënyrë që çdo minutë i përballjes me kancerin e gjirit të shndërrohet në një motiv shtesë për jetë për gratë që aktualisht e luftojnë kancerin e gjirit”, ka theksuar Osmani.
Ajo ka ftuar të gjitha vajzat e gratë që të gjejnë kohën e duhur për ta vizituar mjekun sepse siç ka thënë ‘askush nuk na mbron më shumë nga sëmundjet se sa mund ta mbrojmë ne vetveten nëpërmjet kujdesit’.
“T’i shëndrrojmë 12 muaj në muaj rozë dhe jo vetëm muajin tetor. Duke i bashkuar forcat e duke i dhënë jehonë kësaj kauze e duke e ngritur zërin tonë të përbashkët për kujdes të shtuar, për kontrolla të regullta ne mund ta bëjmë ndryshimin, ta shtojmë kurajën, ta lehtësojmë dhimbjen e ta mbrojmë jetën”, ka shtuar presidentja.
Ajo ka thënë se gjatë këtij viti Zyra e Presidencës ka ndihmuar përafërsisht 100 gra me pakon onkologjike, e cila përfshin edhe protezën e gjirit, teksa ka premtuar mbështetjeje për të gjitha gratë e prekura me kancerin e gjirit me pakon onkologjike.
Ajo ka falënderuar Nafije Latifin që nëpërmjet organizatës “Jeta-Vita” është shndërruar në zë të shpresës, burim të kurajës dhe mbështetëse të palëkundur të grave që vuajnë nga kanceri i gjirit.
Presidentja Osmani po ashtu ka falënderuar edhe stafin e Klinikës së Onkologjisë për kujdesin dhe punën e jashtëzakonshme ndaj pacientëve me kancer.
Kurti: Tetori, muaji i ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se tetori nënkupton muajin e ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit, derisa eventet e tilla si “Zbulimi i hershëm – Mbijetesë”, që u organizua nga Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita” ndihmon në rritjen e vëmendjes dhe të vetëdijes për zbulimin sa më të hershëm si dhe kujdesin për këtë sëmundje.
“Tetori u kushtohet grave që luftojnë me vendosmëri për jetën. Tetori u kushtohet gjithashtu atyre grave të cilat i vetëdijkesojnë edhe të tjerat gra dhe shoqërinë tonë. Secili prej nesh njohim shumë gra që vet e kanë kaluar këtë sfidë, por që vazhdojnë e të flasin e ndihmojnë edhe të tjerët si të mbijetojnë e si të jetojnë duke e mundur këtë sëmundje”, ka theksuar Kurti.
Tutje kryeministri ka thënë se është tejet frymëzuese t’i shohësh gratë nga të gjitha shtresat shoqërore që nga paciente të mbijetura bëhen aktiviste me zell të kësaj kauze.
“Solidariteti këtu është jetësor e mësim i madh për secilin prej nesh. Kjo na obligon edhe më shumë që të merremi të gjithë, të ofrojmë përkrahjen tonë të pakursyer si shoqëri e institucione. Si Qeveri kemi siguruar buxhet të mjaftueshëm për mbuylimin e listës së barnave esenciale, ndër to edhe për trajtimin e personave të prekur me kancer të gjirit. Kemi punuar në ngritjen e cilësisë dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore për diagnostifikim ku edhe në buxhetin për vitin 2023 do të ketë investime shtesë edhe në diagonostik por edhe në pako të veçanta për personat e prekur nga kanceri”, ka nënvizuar i pari i Qeverisë.
Kurti ka thënë se në këtë mision fisnik nuk janë të vetëm si ekzekutiv, por janë bashkë me gjithë, duke filluar nga shoqatat e personave të prekur nga kanceri, me shoqërinë civile në përgjithësi dhe me institucionet tjera.
E organizatorja e këtij manifestimi dhe themeluesja e Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”, Nafije Latifi ka thënë se mbështetja e shoqërisë dhe institucioneve e inkurajon atë për të vazhduar misionin e saj në ndërgjegjësimin e vajzave dhe grave për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Ajo theksoi se jetësimi i kësaj qendre është bërë në vitin 2006, kur tema e kancerit të gjirit ka qenë tabu, derisa tani ka mbështetje të gjerë.
“Përkundër sfidave të shumta, e bëmë realitet synimin që informata dhe ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit të arrijë në çdo shtëpi dhe të çdo grua me fjalën e gjallë, me informata të ekspertëve mjekësor, me broshura, ligjërata e konferenca e me fushata mediale”, ka thënë Latifi.
Ajo shprehu falënderimet e saj ndaj institicioneve për mbështetje dhe stafit të Klinikës së Onkologjisë për kujdesin dhe përkushtimin e tyre ndaj të gjithë të prekurve me kancerin e gjirit.
Thirrje për kujdes dhe kontrolla të rregullta te mjeku për të gjitha gratë e vajzat ka bërë kryetari i Shoqatës së onkologëve, Arben Bislimi.
“Ftoj të gjitha gratë e vajzat që të bëjnë kontrolla të rregullta te mjeku, të ndjekin rekomandimet për ultrazë e momografi dhe të mos neglizhojnë asnjë ndryshim që vërejnë në trupin e tyre. Mënyrë tjetër parandalimi nuk kemi, andaj vazhdojmë me thirrjen “Zbulimi i hershëm shpëton jetë“, ka theksuar Bislimi.
Krerët e shtetit në përkrahje të grave të prekura nga kanceri i gjirit
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti po marrin pjesë në manifestimin tradicional informativo-kulturor me moton “Zbulimi i hershëm – Mbijetesë”, që po organizohet nga Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita” në Prishtinë.
Ky manifestim po organizohet për herë të 16-të, por këtë herë nën pantronatin e presidentes Osmani, e ku të pranishme janë edhe zv.kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, zv.kryeministrja Emilia Rexhepi, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu si dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

























