Rama: Manifesta e vendosi Prishtinën në qendër të medieve botërore
Shqipe Gashi/RTKlive
Në konferencën përmbyllëse të Manifesta 14 u tha se përmes saj Prishtina u kthye në qendër kulturore në botë, derisa për 100 ditët e kësaj ngjarje, në lokacionet kulturore janë bërë mbi 800 mijë vizita.
Sipas kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, Manifesta 14 ka sjell një imazh të ri kulturor për kryeqytetin.
“Për herë të parë, falë punës së mrekullueshme të ekipit fantastik të Manifestës dhe ndihmës së pakursyer të kryeqytetit, Prishtina zuri vëmendjen e mediave botërore. Tash jo për makiatot më të mira në botë, as për narrativen e një qyteti të pasluftës, por për potencialin e jashtëzakonshëm për të krijuar dhe qenë pikë e rëndësishme në skenën kulturore evropiane dhe botërore”, deklaroi Rama.
Ky imazh i ri i kryeqytetit, sipas tij, jo vetëm se ndërron, por edhe e shton përgjegjësinë institucionale për të vazhduar me të njëjtit hapa. “E po ashtu dhe për të konservuar atë çka u arrit bashkë me Manifestën dhe për të marrë si shembull për punë të tjera konkrete që na presin tash e tutje”, deklaroi i pari i kryeqytetit.
E kënaqur dhe shumë e lumtur me të arriturat e Manifesta 14 në Prishtinë u shpreh edhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani. Ajo tha se Manifesta ka pasur rol edhe ekonomik, përveç atij kulturor.
“Manifesta shumë shpejtë do të dal me shifra zyrtare, por në bazë të këtyre preliminare që i kemi në total janë mbi 800 mijë vizita që janë bërë lokacioneve të Manifestës, duke përfshirë 150 mijë në hapësira të mbyllura dhe rreth 700 mijë të intervenimeve publike.Vizitorët kanë pasur mundësinë të shohin art bashkëkohor të kalibrit botëror”, shtoi Osmani.
Manifesta 14 organizoi 346 turne apo guida të ndërmjetësuara në të gjithë qytetin, duke prezantuar mënyrat e reja për publikun.























