Dyfishohen aktivitetet ushtarake Kosovë-Shqipëri
BKT
Foto: FSK
Lajme

Dyfishohen aktivitetet ushtarake Kosovë-Shqipëri

M.Shefkiu/RTKlive

Vetëm brenda këtij viti, janë dyfishuar aktivitetet ndërministrore dhe ndërushtarake ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Kështu ka deklaruar ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, sipas të cilit, ky bashkëpunim ka rezultuar me ndërtimin dhe zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve të para të komponentës luftarake dhe mbështetjes luftarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Vetëm këtë vit, sipas Mehajt, janë realizuar me dhjetëra stërvitje të përbashkëta ndërmjet njësive të forcave tokësore në nivelin taktik, prej skuadre, togu e deri te ai i kompanive për të kulmuar në proces, në të ardhmen e afërt, edhe në nivel batalioni-regjimenti.

“Në këto stërvitje, për herë të parë, njësitet tona u trajnuan dhe operuan në stërvitje me mortaja të kalibrave 60 mm dhe 81 mm. Pastaj stërvitjet e shumta të njësive tona të forcave speciale për  operacione speciale dhe operacione të forcave komando. Krahas këtyre paralelisht janë realizuar edhe dhjetëra trajnime e stërvitje të shumta për komponentet tjera të mbështetjes luftarake dhe mbështetjes luftarake me shërbime”, ka shkruar Mehaj në facebok.

Për herë të parë, nga viti 2021, sipas ministrit të Mbrojtjes, kanë filluar edhe studimet e kadetëve tanë në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, në nivelin 4 vjeçar bachelor në shkencat ushtarake.

“Gjithashtu kemi trefishuar numrin e nënoficerëve dhe oficerëve në shkollat profesionale komando-shtabore dhe ato të lidershipit ushtarak në institucionet arsimore ushtarake të Shqipërisë. Nga resurset tona, vëllezërve e motrave ushtarake të Shqipërisë u kemi ofruar trajnimet në kërkim-shpëtim urban dhe ata na kanë ofruar trajnimet në kërkim-shpëtim ujor dhe zhytje”, tha më tej Mehaj.

Sipas tij, ka edhe shumë aktivitete tjera në funksion të shkëmbimit të eksperiencave profesionale në detyrat  e lidershipit “pastaj ato të planifikimit shtabor për të gjitha fushat, krahas detyrave të komandimit të njësive të të gjitha formateve”.

Mehaj tha se bashkë me gjeneral Jasharin dhe homologët nga ministri Peleshi e hjeneral Kingji, dhe gjithë zyrtarë e ushtarakë tanë jemi të përkushtuar që  bashkëpunimin ta thellojmë edhe më tej.

“Këtë vizion e mbështesim në konceptin "smart defense", me mbështetjen dhe koordinimin e plotë me aleatin tonë jetik SHBA-në,  gjithnjë në funksion të përmbushjes së misioneve tona kushtetuese, dhe në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë së vendeve tona, rajonit tonë dhe botës liridashëse dhe paqedashëse. Së bashku gjithmonë jemi më të fortë”, ka deklaruar ministri Mehaj.Mund të jetë një imazh i 3 persona, zjarr dhe ambiente të jashtme

Mund të jetë një imazh i 7 persona dhe ambiente të jashtme

Mund të jetë një imazh i 6 persona, njerëz në këmbë, mal dhe natyra


MË SHUME NGA Lajme