Kërkohet rikthimi në agjendë i Projektligjit për financat lokale
BKT
Foto:RTK
Lajme

Kërkohet rikthimi në agjendë i Projektligjit për financat lokale

Pajtim Çuni/RTK

Miratimi i Projektligjit për Financa Lokale, të cilin Qeveria së fundmi e tërhoqi nga plani legjislativ, po vlerësohet shumë i nevojshëm. Një gjë të tillë po e kërkojnë nga Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe shoqëria civile. Sipas tyre, miratimi i projektligjit në fjalë mundëson ndalimin e abuzimin dhe shfrytëzimin më të mirë të parasë publike për nevojat e komunave.

Ndonëse e kishte në plan miratimin e Projektligjit për Financa Lokale dhe procedimin në Kuvend, Qeveria hoqi nga programi legjislativ shqyrtimin e këtij projektligji për këtë vit. Miratimi i këtij projektligji është mese i nevojshëm dhe kërkesë e kamotshme e komunave, thotë për Radio Kosovën, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi. Një gjë e tillë u kërkua edhe në takimin e 24 shtatorit që kryetarët e komunave patën me kryeministrin Albin Kurti, shton Ibrahimi, teksa flet për grantin e katërt për investime kapitale.

“Granti i katërt parasheh që të gjitha mjetet financiare që janë të dedikuara për investime kapitale ku kompetente është komuna, të dërgohen në grantin e katërt dhe pastaj komunat të përfitojnë në mënyrë të barabartë, bazuar në numrin e popullsisë dhe sipërfaqe. Në të gjitha qeveritë, kryetarët e komunave janë ankuar se ka projekte që investohen në komuna duke u bazuar në kritere politike apo etnike. Dhe, edhe për këtë arsye ne gjithmonë kemi kërkuar që të kemi një grant të tillë”, tha ai.

Tutje, Ibrahimi thotë se nuk ishin njoftuar paraprakisht nga Qeveria për të tërheqjen e projektligjit, i cili sipas AKK-së, duhet trajtuar sa më parë.

Bekim Salihu, analist politikash në Institutin “GAP” thotë se ekzekutivi nuk ka dhënë asnjë arsyetim për tërheqjen e Projektligjit për Financa Lokale, nga plani legjislativ. Edhe Salihu thotë se miratimi i ligjit në fjalë është i nevojshëm, marrë parasysh se në mungesë të tij, ministritë shpeshherë ndajnë para për projekte të caktuara jo fort të nevojshme.  

“Ne në të kaluarën kemi gjetur që para janë ndarë pa u bazuar në ndonjë vlerësim paraprak apo në disa raste edhe pa pasur nevojë për investime. Tërheqja e këtij ligji e lë mundësinë që edhe më tutje ministritë e linjës të investojnë sipas preferencave që potencialisht mund të kenë në terren. Kësisoj, miratimi i një ligji të tillë është padyshim shumë i nevojshëm dhe do të rregullonte një nyje të rëndësishme që ka dalë të jetë abuzive për paranë publike”, tha ai.

Ligji aktual për financat e pushtetit lokal është miratuar në vitin 2008 dhe është plotësuar-ndryshuar një herë në vitin 2016. Miratimi i një ligji të ri është parë i nevojshëm prej vitesh. Ndërkohë, Qeveria aktuale ka premtuar ndarjen e grantit të katërt për investime kapitale për komuna.


MË SHUME NGA Lajme