PDK: Vendimi për targat joserioz, Kosova po shndërrohet në palë destruktive
BKT
Foto: PDK
Lajme

PDK: Vendimi për targat joserioz, Kosova po shndërrohet në palë destruktive

M.Shefkiu/RTKlive

Partia Demokratike e Kosovës e ka kundërshtuar të shtunën vendimin e djeshëm të Qeverisë së Kosovës në lidhje me targat e veturave në veri të vendit. Bernard Nikaj, sekretar i kësaj partie në një konferencë për medie, tha se me vendimin e djeshëm kryeministri Kurti po tërhiqet nga zbatimi i vendimeve të tij, edhe po e vendos Kosovën në pozicione të kundërta me partnerët ndërkombëtarë.

“I gjithë debati i ditëve të fundit ka qenë i fokusuar në çështjen se a do të zbatohet vendimi legjitim i Qeverisë nga data 1 nëntor, apo do të aprovohet kërkesa e ShBA-së për shtyrje të zbatimit të vendimit për 10 muaj. Në fund, kryeministri ka vendosur në mënyrë të njëanshme që ta shtyjë zbatimin e vendimit për gati 6 muaj, duke u tërhequr nga qëndrimi i tij, por edhe duke e sjellë Kosovën në pozitë të pafavorshme në raport me ShBA-në dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë”, tha Nikaj.

Sipas sekretari të partisë më të madhe opozitare, kjo qasje është joserioze dhe po e shndërron Kosovën në palë destruktive duke e venën në dyshim edhe mbështetjen ndërkombëtare.

“Në këtë situatë, qëllimi i Qeverisë do të duhej të ishte ose zbatimi pa shtyrje të mëtejme i vendimit legjitim në funksion të sundimit të ligjit edhe në veri të vendit, ose koordinim i plotë me partnerët ndërkombëtarë për të fuqizuar pozicionin e Kosovës në procesin e dialogut. Por, me vendimin e Qeverisë nuk u arrit asnjëri nga këto qëllime”, tha ai.

Nikaj tha se një situatë të tillë në raport me ShBA-në, Kosova nuk e ka pasur asnjëherë në të kaluarën.

“Si PDK, shprehim shqetësimin dhe mospajtimin tonë me këtë qasje injoruese dhe mos-bashkëpunuese me shtetin më të rëndësishëm për perspektivën zhvillimore të vendit tonë. Kjo vlen edhe për raportet tona me shtetet kyçe të Bashkimit Evropian. Përderisa kemi mbështetur dhe mbështesim çdo veprim e vendim legjitim e kushtetues të Qeverisë e të institucioneve shtetërore për shtrirjen e ligjshmërisë në çdo cep të Kosovës, ne besojmë se këto qëllime më së miri arrihen duke pasur komunikim dhe koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë”, deklaroi Nikaj.

Nikaj ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të dalë me qëndrim zyrtar dhe të bëhet transparente për qytetarët e Kosovës në lidhje me planin franko-gjerman, i cili tash e sa ditë ndodhet në Zyrën e Kryeministrit, por sipas tij, po mbahet fshehtë nga qytetarët e Kosovës.

“Qytetarët duhet ta kuptojnë qëndrimin zyrtar të Qeverisë për këtë plan këtu në Prishtinë, e jo të informohen për detajet e tij nga konferencat në Beograd”, deklaroi Nikaj i PDK-së.


MË SHUME NGA Lajme