BE e zhgënjyer që Kosova nuk i respektoi rekomandimet për targat
BKT
Lajme

BE e zhgënjyer që Kosova nuk i respektoi rekomandimet për targat

Gjeraqina Tuhina/RTK/Bruksel

Bashkimi Evropian shprehet i zhgënjyer përse Kosova nuk i ka përfillur këshillat e bashkësisë ndërkombetare lidhur me shtyerjen e afatit të riregjistrimit të automjeteve me targa serbe.

“Kosova duhet të lejojë një periudhë më të gjatë tranzicioni. Kjo ka qenë këshilla e vazhdueshme e partnerëve më të afërt të Kosovës, përfshirë BE-në dhe SHBA-në. Është zhgënjyese që kjo nuk është përfillur”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e shntyot e BE-së, të shtunën vonë në mbrëmje.

Këtu gjithashtu cilësohet se vendimi i fundit i qeverisë së  Kosovës, siç thuhet “është hap i duhur” mirëpo nuk është në përputhje me marrëveshjet e Dialogut, e të cilat janë të detyrueshme për të dyja palët.

“Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht tabelat KM, por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në Dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative”, nënvizohet në komunikatë.

Aty gjithahstu përmendet se marrëveshja përkatëse e vitit 2016 parashikonte një proces të renditur dhe të përcaktuar qartë me një afat kohor 12-mujor për procesin e largimit, i cili nuk është ndjekur.

Bashkimi Evropian konsideron se është e domosdoshme ruajtja e qetësisë. I bëhet thirrje të gjitha palëve të përfshira që të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo veprim apo retorikë që mund të rrezikojë stabilitetin në terren, veçanërisht në veri të Kosovës.

BE së bashku me partnerët,  do të vazhdojë të angazhohet si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë porositet nëpërmjet të kësaj komunikate dhe nënvizohet pritja që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim për të gjetur një zgjidhje pa vonesa të mëtejshme, në përputhje të plotë me Marrëveshjet e Dialogut.


MË SHUME NGA Lajme