PDK: Qeveria ka nisur kapjen e Administratës Publike
N.Mekolli /RTKlive
Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, tha sot në konferencë për media se Qeveria aktuale ka nisur përpjekjet që nëpërmjet ligjit të kapë Administratën Publike dhe të largojë nga puna mijëra zyrtarë civilë që kanë pozita menaxheriale.
Sipas tij, ky veprim i qeverisë aktuale është kundër kushtetues dhe cenon procesin e integrimit evropian të Kosovës. Gruda tha se kjo përpjekje e qeverisë është shantazh dhe kërcënim direkt për të vënë nën kontroll politik gjithë shërbimin civil të Kosovës.
Ai tha se, Qeveria aktuale pasi ka kapur çdo institucion publik duke emëruar e punësuar familjarët e tyre dhe zyrtarët partiakë në pozita drejtuese dhe në borde të institucioneve publike, tani ka nisur përpjekjet kundër kushtetuese në administratën publike.
“Kjo qeveri këto ditë ka prezantuar Projektligjin për Zyrtarët Publik të Kosovës, i cili paraqet synimin e qartë të partisë në pushtet për të politizuar administratën publike të shtetit dhe për t’a kthyer atë në shërbim të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Gruda.
Gruda tha se nëpërmjet projektligjit për Zyrtarët Publik të Kosovës, qeveria po cenon sigurinë juridike të shërbimit civil.
“Qeveria ka paraparë që pas hyrjes në fuqi të këtij projektligji, të ju ndërpres kontratat e punës që kanë fituar sipas akt emërimeve të përhershme, të gjithë zyrtarëve të nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues në administratën publike, të shpallë konkurse të reja për të gjitha këto pozita, dhe këto pozita të jenë me mandat 4 vjeçar. Këtu bëhet fjalë për mijëra zyrtarë që aktualisht mbajnë këto pozita. Me këtë rast, mijëra familje do të mbesin pa të ardhurat e tyre”, tha Gruda.
Sipas tij, në rast të miratimit dhe zbatimit të këtij projektligji, administrata publike do të politizohet, do të hapet mundësia e korrupsionit dhe do të bëhet e cenueshme sa herë ndërrohen qeveritë.
Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje Qeverisë që para se ta miratojë këtë projektligj, të largojë dispozitat kundër kushtetuese që shkelin detyrimet e Kosovës karshi Bashkimit Evropian të marra përmes MSA-së.
i bëjmë thirrje Zyrës së BE- në Kosovës që të kundërshtoj me gjithë forcën e saj këtë nismë të qeverisë për të shkatërruar administratën e shtetit. PDK nuk do të lë mjet dhe rrugë demokratike pa përdorur për t’i mbrojtur shërbyesit civilë nga ky arbitraritet brutal dhe se nuk do të lejoj në asnjë mënyrë që rruga evropiane e Kosovës të pengohet nga mungesa e profesionalizmit, qëllimet jo të mira dhe synimet e qarta të kësaj qeverie për të vënë administratën e shtetit në shërbim të partisë në pushtet”, tha Gruda.
Sipas tij, Qeveria aktuale nuk i ka marrë parasysh vërejtjet e Zyrës së Bashkimit Evropian për këtë projektligj.
"BE dhe SIGMA si organ i specializuar në çështjet e administratës publike brenda BE-së, kanë vënë në dukje se projektligji në formën si është prezantuar i shërben vetëm politizimit të administratës dhe korruptimit të saj për shkak të mungesës së integritetit menaxherial me mandat”, tha Gruda.























