Kurti:Procesi i regjistrimit në Luginë, ka rëndësi historike për shqiptarët
A.Bela/ RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se duke i pasur parasysh deklaratat skandaloze të kreut të Serbisë se shifrat e paraqitura nga regjistrimi i popullsisë në Luginë të Preshevës, ende pa përfunduar procesi, për goja shifra të fryera nga shqiptarët, ka kërkuar vëzhgim nga ndërkombëtarët për përpunimin e të dhënave nga regjistrimi në Luginë të Preshevës.
“Këto deklarata dëshmojnë se pse procesi i regjistrimit të popullsisë e pasurive, për shqiptarët ka rëndësi historike e kombëtare”, tha ai.
Sipas tij në rrethana normale e në vende me demokraci të zhvilluar e liri të garantuara, ky proces do të trajtohej si proces i natyrshëm.
“Nga 1 tetori e deri më sot, kur po përfundon regjistrimi i popullsisë dhe pasurive, shqiptarët që jetojnë në Serbi e të cilët në vazhdimësi përballen me diskriminim në bazë të kombësisë, e së fundmi edhe me pasivizim të adresave, iu përgjigjën masivisht procesit të regjistrimit. Që në ditën e parë, si Kryeministër i Republikës së Kosovës bëra thirrje që regjistrimin e popullsisë mos ta trajtojmë vetëm si veprim i natyrshëm, por si veprim kombëtar e historik. Sepse shqiptarët në Serbi, e me theks të veçantë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc nuk trajtohen në mënyrë të barabartë me qytetarët e tjerë”, ka shkruar Kurti në “Facebook”
Sipas tij në rrethana normale e në vende me demokraci të zhvilluar e liri të garantuara, ky proces do të trajtohej si proces i natyrshëm. “Por në të tilla rrethana nuk jetojnë shqiptarët në Serbi. Ata përballen me mos integrim e me shkelje të të drejtave elementare të njeriut. Sot, kur po përfundon një proces me interes të veçantë edhe për Qeverinë e Republikës së Kosovës, informacionet që vijnë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, janë se përkundër pengesave të shfaqura gjatë procesit të regjistrimit, shqiptarët janë aktivizuar në maksimum për një muaj rresht, që të regjistrohen të gjithë, e edhe ata që janë me banim të përkohshëm në Kosovë e diasporë. U jam mirënjohës sot tërë spektrit politik shqiptar anekënd, shoqatave, organizatave joqeveritare, klerikëve fetarë e në veçanti secilit regjistrues shqiptar për angazhimin e palodhur që për një muaj të regjistrojnë çdo shqiptar”, tha ai.
Kurti po ashtu, ka falënderuar punëdhënësit në Kosovë, që kanë liruar punëtorët nga puna për ditët që u janë nevojitur për regjistrim, si dhe njëkohësisht u ka bërë thirrje, që njëjtë të veprojnë edhe pasditen e sotme.
“Të dashura motra e vëllezër nga Presheva, Medvegja e Bujanoci,Pranoni përshëndetjet e përzemërta të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe mirënjohjen time të thellë, për të gjithë shqiptarët atje, që me vendosmëri dëshmuat se jeni aty, e se jeni shumë më shumë se që ju paraqesin”, tha ai.























