Shtohet interesimi i serbëve të Kosovës për konvertim të targave në RKS
BKT
Foto: Donika Sherifi/RTK
Lajme

Shtohet interesimi i serbëve të Kosovës për konvertim të targave në RKS

Donika Sherifi/RTK

(Plotësuar) Ka vazhduar konvertimi i targave të automjeteve nga ato ilegale KM në ato legjitime RKS.

Pronarët e këtyre automjeteve që janë kryesisht qytetarë serbë të Kosovës që jetojnë në veri të vendit, kanë shfrytëzuar ditët e fundit  nga lehtësirat administrative të vendosura nga Qeveria e Kosovës, për të konvertuar këto targa.

Në pesë ditët e fundit, edhe 11 vetura janë regjistruar me targat RKS, duke bërë që gjithsej, 23 automjete, pronarët e tyre të mund t’i vozisin pa problem në tërë Republikën, raporton RTK.

Javën e fundit është rritur interesimi i qytetarëve për të konvertuar targat, duke iu përgjigjur pozitivisht fushatës informuese.

Të gjitha 34, Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në të gjitha komunat e vendit, janë në dispozicion për zhvillim të këtij procesi.

Në përgjigje për RTK-në, Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës fton qytetarët, pronarë të veturave me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” dhe “ĐA" që të vazhdojnë t'i regjistrojnë automjetet e tyre, me mundësi të përfitimit nga lehtësirat për regjistrim të mjeteve, nga targa ilegale në targa RKS.

Ky afat është tanimë është vazhduar deri me datë 31 mars 2023, duke përfshirë: taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të Automjetit, në cilëndo qendër të regjistrimit.

Aktualisht, targat e veturave të konvertuara sipas rajoneve, përfshijnë 8 nga rajoni i Gjilanit, ku targat fillojnë me 06, pastaj 10 janë nga ai Mitrovicës, targat e të cilit fillojnë me 02, nga regjioni 04, ose i Prizrenit janë 3 automjete, kurse nga ai i Prishtinës, ose regjioni 01, janë 2  automjete.

Zyrtare: Nga nesër me masa qortimi për vozitësit me targa ilegale

A.Bela/RTKlive

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka ftuar sërish qytetarët që t’i regjistrojnë me targa RKS automjetet  me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”.

Sipas MPB-së, nga data 21 Nëntor deri me datë 21 Janar, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE” “DA” apo “ĐA”, do të shqiptohet gjobë sipas legjislacionit në fuqi, në lartësi prej 150 euro.

"Qeveria e Republikës së Kosovës, me datë 28.10.2022 ka marrë Vendimin Nr.05/103 me të cilin ka vendosur që procesi i regjistrimit të këtyre mjeteve në targa RKS të bëhet i shkallëzuar në faza, deri në përmbylljen e këtij procesi legal dhe legjitim me datë 21 prill 2023. Të nderuar qytetarë, ju do të keni mundësi të përfitoni nga lehtësirat për regjistrim të mjeteve nga targa ilegale në targa RKS deri me datë 31 mars 2023 duke përfshirë: taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të Automjetit. Mjetet tuaja motorike mund t’i regjistroni në cilëndo qendër të regjistrimit, pavarësisht vendbanimit apo vendqëndrimit që kanë. Me vendimin e ri, nga data 1 Nëntor 2022, të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë me targa ilegale, do të shqiptohet masa e qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS", njofton MPB.

Sipas njoftimit të MPB-së, nga data 21 Janar 2023, pronarët e mjeteve me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, për të hyrë dhe qarkulluar në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të pajisen me targa provuese duke e pasur të drejtën e regjistrimit me targa RKS me lehtësirat e parapara.

"Nga data 31 mars deri me datë 21 prill 2023, do të mundësohet regjistrimi i mjeteve me “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA” në targa RKS, por të njëjtat nuk do të mund të shfrytëzojnë lehtësirat e ofruara deri me këtë datë. Pas datës 21 prill 2023, nuk do të lejohet hyrja apo qarkullimi i mjeteve motorike që posedojnë targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA” brenda territorit të Republikës së Kosovës", njofton MPB.

Ministria e Punëve të Brendshme, i siguron të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se ky proces ka për synim ligjshmërinë në Kosovë, rritjen e sigurisë në trafik dhe nuk është i drejtuar ndaj asnjë etnie të caktuar.

"Ftojmë të gjithë qytetarët tanë, të cilët posedojnë mjete të pajisura me targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA”, që të regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS dhe bashkërisht të përfundojmë me sukses këtë proces", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.


MË SHUME NGA Lajme