Kryediplomati britanik vlerëson të arriturat e Kosovës në takim me Kurtin
BKT
Foto: Qeveria e Kosovës
Lajme

Kryediplomati britanik vlerëson të arriturat e Kosovës në takim me Kurtin

Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë qëndrimit të tij në Mbretërinë e Bashkuar, është pritur në takim nga Ministri i Punëve të Jashtme, James Cleverly.

Kurti, në këtë takim ka uruar ministrin e ri të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Cleverly për detyrën e re, derisa e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar.

Kryeministri Kurti, siç bëhet e ditur në komunikatën për media të qeverisë, ka ftuar për bashkëpunim edhe më të thellë ndërmjet dy vendeve, në veçanti në fushën e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomi.

Ndërkohë, thuhet se kryediplomati britanik, James Cleverly ka shprehur dashamirësinë dhe admirimin britanik për Kosovën, derisa ka çmuar lart të arriturat e shtetit të Kosovës dhe qëndrimin që Kosova po mban nga fillimi ndaj agresionit rus në Ukrainë. 

Për pritjen në Ministrinë e Jashtme të Britanisë ka shkruar edhe vetë kryeministri në Twitter duke e quajtur si nder.

“E falënderova James Cleverly për mikpritjen e tij dhe e përgëzoj për rolin e ri si Sekretar i Jashtëm. Biseduam për marrëdhëniet tona dypalëshe dhe si t'i forcojmë ato, si dhe për bashkëpunimin rajonal dhe mënyrën e avancimit të tij”, ka shkruar kryeministri Kurti.

E shënim në Twitter për këtë takim ka lënë edhe vetë nikoqiri i takimit, Ministri i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly.

 “Sot takova kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, përpara Samitit të Procesit të Berlinit. Ne diskutuam për marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe nevojën për kurajë dhe kompromis për të mirën e njerëzve në të dyja vendet”, ka shkruar kryediplomati britanik duke i cilësuar si të gjata e të forta marrëdhëniet mes Britanisë e Kosovës.

 


MË SHUME NGA Lajme