Nis vaksinimi kundër gripit sezonal, interesim i madh i qytetarëve|Video
BKT
Lajme

Nis vaksinimi kundër gripit sezonal, interesim i madh i qytetarëve|Video

Valjete Shala / RTK

Në të gjitha qendrat kryesore të Mjekësisë Familjare në vend ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal. Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u bëjnë thirrje qytetarëve, sidomos të moshuarve dhe atyre me sëmundje kronike, që të vaksinohen për t’u mbrojtur nga gripi sezonal.

Interesimi për vaksinim kundër gripit sezonal në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë ka qenë i madh gjatë ditës së sotme.

Shumica nga qytetarët ishin të moshuar të cilët ishin në pritje për t'u vaksinuar. Një nga ta është edhe 81-vjeçari Fetush Morina, i cili thotë është i rregullt në marrje të vaksinës kundër gripit.

“Unë për veti sa herë që po e marr vaksinën kurrë nuk po më bjen gripi. Po më bën hajr, pasi gjithë dimrin po e kalojë mirë. I ftoj të gjithë që me ardh e me i marrë vaksinat”, ka theksuar Fetush Morina- qytetar.

Ndërkaq, edhe qytetari tjetër Islam Burnihu theksoi se vaksina po e ndihmon për t’iu shmangur gripit sezonal.

“Vjet për vjet e marr vaksinën. Po më doket që po na ndihmon boll”, tha ai.

Ministria e Shëndetësisë ka rekomanduar që krahas vaksinimit kundër gripit sezonal, të marrin edhe dozën përforcuese të vaksinës kundër COVID-19!

Por, qytetari Alajdin Alishani thotë se i ka marrë pothuajse të gjitha.

“Vaksinën e 7-të po e marr. I kam marrë 4 për Covid, e kjo është e treta për grip", tha ai.

Bujar Gashi, drejtor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, thotë së procesi po shkon në rregull dhe vaksinimi kundër gripit sezonal mund të bëhet çdo ditë pune në njësitë e vaksinimit.

“Deri në vitin e kaluar vaksinimi kundër gripit sezonal është realizuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ndërsa nga ky vit aplikohet edhe në 12 qendra të Mjekesise Familjare në Prishtinë. Në të gjitha qendrat do të punohet nga ora 07:00 deri 13:30 dhe qytetarët do të mund të marrin vaksinat kundër gripit në lagjet e tyre", ka deklaruar Gashi për RTK-në.

Mjekët rekomandojnë që të gjithë personat e moshës 6 muajsh e lart mund të marrin vaksinën vjetore kundër gripit sezonal për të krijuar imunitet përpara se virusi të përhapet gjerësisht në fund-vjeshtë dhe fillim-dimër.

 


MË SHUME NGA Lajme