Ekspozita “Miss Mary Edith Durham” për herë të parë në Kosovë
BKT
Kulturë

Ekspozita “Miss Mary Edith Durham” për herë të parë në Kosovë

Sh.Gashi / RTKlive

Për herë të parë në Kosovë është realizuar ekspozita “Miss Mary Edith Durham - Mbretëresha e Maleve” në Muzeun Kombëtar në Prishtinë. Kjo ekspozitë e ideuar nga Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë, përmban foto dhe skica të realizuara nga vetë Edith Durhami gjatë udhëtimeve nëpër viset shqiptare.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, u shpreh i lumtur që kjo ekspozitë ka arritur në Kosovë.

“Kjo ekspozitë vjen përherë të parë në Kosovë. Ne, qëllimisht zgjodhëm që ta sjellim këtu pasi që Edith Durham ishte një aktore dhe një faktore shumë e rëndësishme e ngjarjeve të kryengritjeve shqiptare, duke vijuar që nga viti 1910- 1911 si dhe kryengritja e madhe në vitin 1912”, tha Koçi për RTK-në.

Ndër të tjera Koçi tha se Edith Durham ndërmori shtatë udhëtime në Shqipëri dhe pjesë e kontributit të saj të larmishëm janë edhe pesë vëllimet që ajo i shkroi  për historinë e shqiptarëve, marrëdhëniet e tyre me fqinjët dhe për prognozat që ajo dha për mendimin se çfarë do të duhej dhe si do të duhej të zgjidhej çështja shqiptare.

Në këtë ekspozitë morën pjesë shumë personalitete të njohura të botës së artit dhe jo vetëm, derisa do të qëndrojë e hapur deri më 4 nëntor.

Edith Durham shkrimtare e shquar britanike u bë e famshme për shkrimet e saj antropologjike rreth jetës së Shqipërisë në fund të shekullit XIX dhe fillim shekullit XX.

Në ditët e sotme, dokumentet e saj mbahen nga “Museum of Mankind” dhe Royal Anthropological Institute (Instituti Mbretëror Antropologjik) në Londër, ndërsa koleksioni i saj me bizhuteri të grumbulluara në Ballkan ndodhet në “Pitt Rivers Museum” në Oksford dhe Bankfield Museum në Halifaks.

Edith Durham lindi në vitin 1863, derisa ndërroi jetë në vitin 1944.


MË SHUME NGA Kulturë