Ish-ministrja Pula Shiroka: Nuk kam bërë asgjë për të keqen e Kosovës
BKT
Lajme

Ish-ministrja Pula Shiroka: Nuk kam bërë asgjë për të keqen e Kosovës

Valjetë Shala / RTK

Ish-ministrja e Ekonomisë, Justina Pula Shiroka, ka raportuar para Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Të ftuar për intervistim kanë qenë edhe Lutfi Zharku, ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë dhe Ahmet Shala, ish-ministër i Ekonomisë, por ata nuk janë paraqitur për raportim. I pari ka thënë se ndodhet jashtë vendit, derisa i dyti ka shprehur gatishmërinë për të raportuar online.

Hajdar Beqa, kryesues i komisionit ka thënë se atyre u intereson të dinë se cilat kanë qenë kompetencat e saj në blerje të energjisë, rënie të blloqeve dhe çmimet në lidhje me këtë sektor në kohën e tranzicionit.

Ajo theksoi se ndjen vetëm krenari, pasi ka qenë koha e pavarësisë dhe në atë periudhë janë orientuar në disa projekte energjetike për kohë më të gjatë.

“Kam shërbyer në periudhën 2008-2011, ku jemi kujdesur më shumë për politika të strategjisë së energjisë. Pra, kemi bërë politika strategjike të energjisë. Ka ekzistuar Kosova A dhe B, por për shkak të luftës ka pasur më pak investime. Pastaj ka qenë projekti ‘Kosova e Re’”, ka theksuar Pula Shiroka.

Ajo tutje në pyetjen e kryetarit të komisionit nëse ka pasur kompetencë për shitblerje të energjisë ka thënë se nuk ka pasur përgjegjësi për këtë çështje, por kanë bërë kërkesë në KEK për të gjeneruar energji.

Në periudhën sa ka qenë ministre, ka theksuar se nuk kanë pasur kompetenca për blerjen e energjisë dhe se këtë përgjegjësi e kanë pasur ndërkombëtarët.

Ajo ka thënë se si ministre ka qenë kundër shitjes së rrjetit të distribucionit.

“Në qeverisjen tonë nuk janë privatizuar asetet. Distribucioni nuk është privatizuar në kohë  time. Tani ta gjejmë një mënyrë që ato lëshime të mos përsëriten edhe tash”, ka thënë ajo.

Arbër Rexhaj i LVV-së ka kërkuar nga ish-ministrja të tregojë se pse nuk është bërë Hidrocentrali i Zhurit dhe nëse mund të thuhet se në kohën e saj nuk janë bërë as punë të vogla e as të mëdha.

“Mund të them se nuk janë arrit por nuk kam bërë asgjë për të keqen e Kosovës dhe për përfitime personale. Për hidrocentralin e Zhurit kam qenë mjaft e zhurmshme. Nuk është bërë për shkak të hidrocentraleve të vogla dhe rrjedhjes së ujit”, ka sqaruar Pula Shiroka.

Deputeti tjetër i LVV-së, Halil Thaçi, e ka pyetur Pula Shirokën pse është ndalur Blloku A1 në atë periudhë, por ish-ministrja ka thënë se ‘nëse e dini se kam bërë krim lirisht zbuloni dokumentet, por nuk jam në gjyq. Jam krenare për atë  çfarë kam bërë dhe nuk  kam bërë gabim. Kam ardhur në mënyrë të sinqertë dhe nëse ka di çka që mund të ju ndihmojë. Nëse ka di çka thojeni e jo me këtë qasje kritike”, ka shtuar ish-ministrja.


MË SHUME NGA Lajme