Rohde: BE është e qartë, Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht targat KM
N.Mekolli /RTKlive
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka komentuar të martën në Twitter vendimin e Qeverisë së Kosovës sa i përket masave të shkallëzuara që kanë hyrë në fuqi nga sot (1 nëntor).
Ambasadori Rohde ka shkruar se Bashkimi Evropian dhe vendet e QUINT-it gjithnjë e kanë bërë të qartë se Kosova ka të drejtë t’i heqë gradualisht targat ilegale.
“Ne si BE dhe QUINT kemi qenë gjithmonë të qartë se Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht targat KM etj. Kjo është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit.
Ne gjithashtu kemi qenë gjithmonë të zëshëm për një periudhë më të gjatë tranzicioni (12 muaj në total) siç parashikohet në marrëveshjen në fjalë, që të zgjidhen çështjet teknike të mbetura në mënyrë pragmatike”, ka shkruar ai.
Rohde ka shtuar se serbëve të Kosovës duhet t’u bëhet e qartë se në Kosovë duhet të përdorni targa të Kosovës.
“Do të doja të shihja përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë që të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në depërshkallëzimin. Për shembull, duke u shpjeguar qytetarëve serbë të Kosovës realitetin se në Kosovë duhet të përdorni targa të Kosovës”, ka thënë më tej ai.
Bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës, plani për çështjen e targave që lëshohen nga Serbia, e që përmbajnë akronime të qyteteve të Kosovës, do të zbatohet në disa faza.
Plani i Qeverisë së Kosovës i publikuar me 28 tetor, parasheh që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm “të hiqen” të gjitha targat që nuk janë RKS- Republika e Kosovës.
Kështu, për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit.
Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes. Më pas, nga 21 janari do të jenë targa provuese për dy muaj të tjerë.
























