Sërish reagime për “dronët” , Serbia kërcënon me përdorimin e topave
M.Shefkiu/RTklive
Autoritetet në Serbi kanë vazhduar me kërcënime në drejtim të Kosovës nën “dyshimin” se “dronë nga Kosova po patrullojnë në territorin e tyre”. Pas kryeministres Ana Bërnabiq, është edhe ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq që thotë se “Serbia duke marrë parasysh përvojën e frontit në Ukrainë, ka rritur gatishmërinë luftarake”.
Ministri Vuçeviq përmend urdhrin e presidentit serb Aleksander Vuçiq, “për ngritjen e gatishmërisë luftarake menjëherë pas shikimit të dronëve që hyjnë në territorin e Serbisë nga Kosova”.
Sipas ministrit serb të Mbrojtjes, “Vuçiq ka lëshuar një urdhër që çdo objekt i tillë të eliminohet ose të vihet nën kontroll", citon agjencia Beta. Madje në këtë reagim përmenden edhe aeroplanët MiG-29, për të cilët thonë se nuk janë ngritur për shkak të dronëve".
Ministri serb i Mbrojtjes ka përmendur edhe “lëvizjen e këtyre dronëve” sipas të cilit, "ata kanë ardhur në drejtim të Rashkës, Toplicës dhe Nishavës".
“Me përvojë në frontin ukrainas, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq - si komandant i përgjithshëm, ka dhënë urdhër që çdo objekt i tillë të eliminohet. Luftëtarët tanë Mig-29 nuk patrullonin për shkak të dronëve. Ushtria mund të përdorë topa për t'iu përgjigjur këtyre sfidave", ka thënë Vuçeviq, sipas të cilit, “Serbia nuk dëshiron luftë” .
Ndërsa për stacionimin e ushtrisë serbe rreth territorit të Kosovës, ministri serb thotë se “bëhet fjalë për stërvitje që zhvillohen në gjithë Serbinë”, citon “Beta”.
Këto pretendime për dronët, në Kosovë janë konsideruar si pretekst i Beogradit për të krijuar dhunë dhe pasiguri në Kosovë dhe në rajon.
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, në një postim në rrjetet sociale hodhi poshtë pretendimet e autoriteteve serbe.
Ai thotë se liderët në Serbi po krijojnë një “pretekst për rritjen e numrit të trupave të ushtrisë serbe përreth kufirit me Republikën e Kosovës, si mjet për përhapjen e një gjendje paniku mbi qytetarët e të dyja shteteve”.
“Këto pretendime janë plotësisht të pavërteta, dhe çfarëdo diskursi i tillë është vetëm pretekst për përhapjen e një gjendje paniku mbi qytetarët e të dyja shteteve. Fillimisht për tentim kthimin e vëmendjes në një temë që nuk është më brengë e qytetarëve të Serbisë, të cilët tashmë kanë pranuar realitetin e ri të shtetit të Kosovës, dhe pakënaqësitë e tyre kanë të bëjnë më tepër me mirëqenien e tyre nën udhëheqjen e Vuçiq sesa me rezultatet e dialogut”, ka thënë Mehaj.
Ndryshe, reagimi i Serbisë për “dronët” vjen në ditën kur Kosova nisi implementimin e shkallëzuar për targat.
Hapësira ajrore që nga shtatori i vitit 1999 është pjesë e “Hapësirës së Përbashkët Operacionale të Ballkanit – JOA” të NATO-s, nën kontrollin operacional të Qendrës së Kontrollit të Operimeve të Kombinuara Ajrore 5, e cila në vitin 2014 është transferuar te Qendra Torrejon e Operimeve të Kombinuara Ajrore.























