Bozoviç: I mbijetuam terrorit, targat RKS i kam që 16 vjet
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
( Plotësuar) Vetura e djegur në Zubin Potok në orën 03:00 të së mërkurës i takon serbit, Bojan Bozoviç.
Ai lajmin e ka publikuar vetë në rrjete sociale duke thënë se ai dhe familja e tij i mbijetuan terrorit gjatë natës derisa ka thënë se vetura nuk është riregjistruar, por ka tash e 16 vite me regjistrim RKS.
Zjarrvënësit i ka quajtur frikacak derisa shpreson që institucionet të dalin me emrat e autorëve.

“Fatkeqësisht, një lajm i keq. Sonte i mbijetuam terrorit. Frikacakët ma kanë vënë zjarrin makinës në oborr përballë shtëpisë në orën 3 të natës së kaluar. Falënderojmë zjarrfikësit që u përgjigjën me shpejtësi dhe parandaluan djegien e shtëpisë. Dua të them se vetura nuk është riregjistruar dhe ka 16 vite regjistrim në RKS. Faleminderit ambasadorit amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier për dënimin e këtij akti çnjerëzor dhe shpresoj që institucionet kompetente të dalin me emrat e autorëve. Faleminderit edhe të gjithë njerëzve të mirë që janë me mua dhe familjen time në këto momente të vështira”, ka shkruar Bojan Bozoviç.
SHBA dënon djegien e veturës në veri, kërkohet shtyrja e afatit për targat
Derisa një tjetër veture me targa RKS i është vënë flaka në veri të Kosovës gjatë natës të mërkurën, në ditën e dytë të hyrjes në fuqi të masës së qortimit të vendosur nga qeveria si pjesë e masave të shkallëzuara që do të përcillen deri në prill, ky akt ka nxitur reagimin amerikan.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier këto i quajtur vepra frikacake e kriminale.
“SHBA-të dënojnë djegien apo shkatërrimin e pronës dhe çdo përpjekje për të frikësuar ata që kanë ose synojnë të marrin targa të veturës RKS, sipas ligjit të Kosovës. Këto janë vepra frikacake dhe kriminale”.
Por, dioplomati amerikan ka përsëritur kërkesën e Shteteve të Bashkuara që kanë ndaj Qeverisë së Kosovës për shtyrje të afatit.
“Ne ritheksojmë kërkesën tonë për një zgjatje të plotë të periudhës së zbatimit në mënyrë që tabelat RKS të mund të instalohen gjatë 12 muajve duke pohuar se Kosova ka të drejtë të zbatojë këtë ndryshim”, ka shkruar Hovenier.
Shtetet e Bashkuara nuk janë pajtuar me masat e vendosura nga Qeveria derisa vazhdueshëm kanë kërkuar shtyrje të tërësishme të vendimit për targa.

Digjet edhe një veturë në veri të Mitrovicës me targa RKS
V.Thaçi / RTKlive
Pas mesnate në Zubin Potok, është djegur edhe një veturë me targa RKS.
Policia së Kosovës përmes një njoftimi bën të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 3:30 të mëngjësit të së mërkurës.
Vetura ishte pronë e një serbi, i cili kishte konvertuar targat ilegale në ato RKS.
“Policia e Kosovës, me datën 02.11.2022, në orën 03.34 (pas mesnate) përmes linjës telefonike ka pranuar një informacion për djegien, vënien e zjarrit ndaj një veture të tipit Hyndai me targa RKS, pronë e viktimës mashkull kosovar i komunitetit serb, nga komuna e Zubin Potokut”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Poashtu bëhet e ditur se njësitet relevante policore nga stacioni policor Zubin Potok, i janë përgjigjur menjëherë vendit të ngjarjes, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore si dhe kanë njoftuar ekipin e zjarrfikësve, të cilët kanë dalë po ashtu në vendin e ngjarjes.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, në hetimin dhe zbardhjen sa më parë të këtij rasti dhe të rasteve të tjera të zjarrvënieve, të ndodhura dhe të orientuara ndaj pronave private, kryesisht ndaj veturave të regjistruara me targa lokale RKS.
Policia ka ftuar qytetarët pa dallime që të bashkëpunojnë këtë institucion të sigurisë, në vazhdimësi në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime, në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, zbulimin e akteve të tilla kriminale dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së kryerësve të këtyre veprave kriminale.
Edhe në muajin e kaluar, autoritetet në Kosovë kanë raportuar për djegie të veturave të personave që i kanë konvertuar targat në RKS.























