Qeveria numëron sukseset e veta gjatë muajit tetor|Video
BKT
Foto: Qeveria e Kosovës
Lajme

Qeveria numëron sukseset e veta gjatë muajit tetor|Video

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Qeveria e Kosovës përmes një video katër minutëshe ka renditur ngjarjet kryesore që shënuan muajin tetor.

Renditja e Kosovës si e para në Ballkanin Perëndimor për sundim të ligjit kurse e dyta në botë për nga përmirësimi i arritur brenda vitit 2022 sipas World Justice Project, është ngjarja e parë me të cilën ka nisur video e publikuar nga Qeveria.

Tutje aty është përmendur miratimi i projektbuxhetit, 3.2 miliardësh për vitin 2023, raporti i Komisioni Evropian, që sipas qeverisë ky dokument i sivjetëm ishte ndër më të mirët në Ballkanin Perëndimor

Në këtë video ka zënë vend edhe aksioni për sekuestrimin e vilave në Brezovicë ku thuhet se vetëm për një jave u sekuestruan më shumë vila të ndërtuara jashtëligjshëm sesa në 20 vitet e fundit së bashku.

Tjetër ngjarje me rëndësi për tetorin është renditur edhe dalja e Kosovës në det, ku në Portin e Durrësit filloi zhdoganimi i mallrave që importohen e eksportohen nga Kosova.

Nënshkrimi i kontratave të subvencionimit të pajisjeve efiçiente në vlerë prej 6 milion për mbi 6 mijë qytetar brenda një jave është një tjetër ngjarje që ka shënuar tetorin.

Mbështetja e BE-së me 75 milion për përballje me krizën energjetike, gur themelet e vendosura për çerdhe, shkolla e Qendra të Mjekësisë Familjare, anëtarësimi në ENQA, ekzekutimi i shtesave si mbështetje nga Qeveria janë të tjera ngjarje që ekzekutivi i ka përmbledhur si suksese të tetorit që sapo lamë pas.

Tutje, si suksese aty përmenden edhe votimi i Projektligjit për Themelimin e Institutit që do të dokumentojë krimet e luftës e votimi i Strategjisë së Sigurisë 2022 – 2027.

Aty është shënjuar edhe ngjarja historike kur zëri i parë i Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës u bë, Saranda Bogujevci.


MË SHUME NGA Lajme