Procesi i Berlinit, Ballkani dhe Kosova
BKT
Foto: Logo e Procesit te Berlinit
Lajme

Procesi i Berlinit, Ballkani dhe Kosova

Fadil Gashi / Radio Kosova

Tashmë siç është paralajmëruar, më 3 nëntor në Samitin e Berlinit, pritet të nënshkruhen tri marrëveshje të rëndësishme.

Marrëveshja, e cila pritet të nënshkruhet nga liderët e vendeve të rajonit më 3 nëntor në kuadër të Procesit të Berlinit, për shumë qytetarë të BeH-së mund të sigurojë udhëtim të lirë pa iu nënshtruar procedurës së komplikuar.

Pastaj, ajo e lirisë së lëvizjes me letërnjoftime, njohja e diplomave të arsimit të lartë dhe njohja e kualifikimeve profesionale për mjekët, stomatologët dhe arkitektët.

Marrëveshja për lëvizjen e lirë me karta identiteti përfshin heqjen e regjimit ekzistues të vizave ndërmjet Bosnjë e Hercegovinës dhe Kosovës dhe hyn në fuqi pas kalimit të procedurës së ratifikimit në parlamentet shtetërore, që pritet të ndodhë në vitin 2023.   

Qeveria gjermane e drejtuar nga kancelari socialdemokrat, Olaf Scholz, menjëherë pas themelimit kishte deklaruar ringjalljen e Procesit të Berlinit dhe kthimin e vëmendjes drejt Ballkanit Perëndimor, ndërsa në deklaratat e tyre, zyrtarët gjermanë kanë nënvizuar në vijimësi, se qeveria gjermane ka në fokus Ballkanin, sidomos zhvillimet në Bosnjë e Hercegovinë dhe lehtësimin e dialogut Kosovë – Serbi.

Në këtë vazhdë, kancelari Scholz ka emëruar dy zyrtarë të lartë për Ballkanin dhe për dialogun Kosovë – Serbi: Jens Ploetner dhe Manuel Sarrazin, ky i fundit në detyrën e të Dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Vetë zoti Sarrazin, në një intervistë për RTK-në ka theksuar se “Ballkani Perëndimor është prioritet i qeverisë gjermane”.

Ai ka shprehur gjithashtu një qëndrim shumë pozitiv për Procesin e  Berlinit i cili tashmë është ringjallur nga kancelari Scholz:

 “Konsideroj se Procesi i Berlinit ka qenë i suksesshëm. Për shembull, në kuadër të këtij procesi kemi themeluar Zyrën për Bashkëpunim Rajonal të  Rinisë “RYCO” (Regional Youth Cooperation Office – Zyra Rajonale për Bashkëpunimin e Rinisë ), por në kuadër të këtij procesi janë bërë edhe përparime të tjera për vendet e Ballkanit, që janë të dukshme. Sido që të jetë, ne duhet të bëjmë dy gjëra si vazhdimësi e Procesit të Berlinit: E para, me gjërat që kanë shkuar mirë, të vazhdojmë tutje, dhe e dyta në ato pika ku ka shpresë se gjërat mund të përmirësohen, të bëhen më mirë. Gjithashtu, si Qeveri gjermane duhet të vazhdojmë angazhimet tona që kemi pasur gjatë procesit të Berlinit dhe mendoj se është e qartë se Procesi i Berlinit ka pasur një ndikim të rëndësishëm dhe pozitiv në rajon”.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, e vlerëson të rëndësishëm mbajtjen e Samitit të Berlinit. “Qeveria gjermane ka investuar shumë kapital politik në procesin e Berlinit, vlerëson për Radio Kosovën ambasadori Rohde:

“Procesi i Berlinit ka për qëllim të sjellë përmirësime praktike për qytetarin. Prapa një tregu të përbashkët qëndron për mendimin tonë, një ide politike, sepse kur funksionon një treg i përbashkët, atëherë ky është një sinjal për Bashkimin Evropian, se fqinjët po kuptohen me njëri-tjetrin, pra, është një shenjë e mirë për procesin e integrimit evropian. Prandaj, ne kemi investuar shumë kapital politik në këtë proces. Ministrja ime e Jashtme ishte këtu, kancelari gjerman ishte këtu për vizitë. Kosovën po e viziton i ngarkuari për Ballkanin Perëndimor. Këshilltarët për politikë të jashtme të kancelarit gjerman dhe presidentit francez, ishin këtu. Të gjithë këta janë pjesë e vizitave të personaliteteve të larta politike, që shërbejnë për t’ua bërë të qartë të gjithë akterëve, se rajonin e shohim si pjesë të Evropës. Por, në anën tjetër, vetë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i kryejnë detyrat e shtëpisë dhe ne presim prej tyre, që krejt energjinë politike që kanë, ta orientojnë dhe ta përdorin për të arritur përparime, dhe këto përparime në radhë të parë, duhet t’u shërbejnë njerëzve këtu, pra, duhet të bëhen për ta ashtu siç është udhëtimi i lirë dhe pa pengesa me dokumente personale. Këtu mund të flitet pastaj edhe për mesazhe të qarta drejtuar kryeministrave të vendeve gjegjëse, për të treguar një fleksibilitet maksimal në qëndrimet e tyre”.   

Takim i 3 nëntorit, po vlerësohet edhe nga njohësit e rrethanave politike në Kosovë. Profesori i diplomacisë dhe i negocimit, Valon Murtezaj, i cili ligjëron në Paris, thotë se Procesi i Berlinit do t’u japë një dinamikë tjetër zhvillimeve në rajonin ballkanik:  

 “Aktivizimi apo rienergjizimi i Procesit të Berlinit është një gjë e mirë, e cila është duke ndodhur. Tanimë, Procesi i Berlinit po kthehet në vendin e origjinës me një qasje të re në një situatë të re përplot ndryshime për dallim nga fillimi para shumë viteve kur kishte nisur nga ish-kancelarja Merkel, dhe tani rifillimi i procesit, nga ato që po dëgjojmë dhe që po vërejmë, do t’u japë zhvillimeve një dinamikë të nisur. Ndër të tjera, ndoshta mesazhi dhe qëllimi kryesor i Procesit të Berlinit është të dëshmohet vëmendja e Bashkimit Evropian dhe Gjermanisë si një nga shtetet lidere të BE-së për sa i përket interesimit për regjionin e Ballkanit Perëndimor”.

Profesor Murtezaj thotë se marrëveshjet që do të nënshkruhen më 3 nëntor,  japin një shenjë shprese se në Ballkan po tejkalohen ndasitë dhe marrëdhëniet konfliktuoze nga e kaluara, do të vijnë duke u tejkaluar:

“Këto marrëveshje që do të arrihen me datën 3 nëntor janë të rëndësishme në radhë të parë për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, sepse do ta kenë më lehtë për të gjetur punë, për të ushtruar profesionet e tyre në regjion ku shtetet që përbëjnë rajonin janë fqinjë dhe nuk ndodh në distanca të mëdha gjeografike. Pra, ata mund të lëvizin dhe të punojnë në vende të ndryshme dhe në anën tjetër Samiti jep një shenjë shprese për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, se po tejkalohen ndasitë dhe se marrëdhëniet konfliktuoze, sepse në radhë të parë dy qeveritë më problematike në rajon, që i kanë krijuar këto vështirësi për qytetarët: Qeveria e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, përkatësisht pjesës serbe të Bosnjës, kanë ndryshuar qëndrim. Prandaj, kjo është një shenjë pozitive dhe të gjitha këto që po ndodhin, janë në frymën e integrimeve. Pra, të gjitha këto vende aspirojnë për integrim në BE në planin afatmesëm apo afatgjatë.”   

Ndërkaq, për analistin Blerim Burjani, riaktivizimi dhe ringjallja e Procesit të Berlinit do të përshpejtojë rrjedhën e integrimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE:

“ Konsideroj se është jashtëzakonisht i rëndësishëm aktivizimi i Procesit të Berlinit. Gjatë kësaj periudhe kohore, sa ishte i pasivizuar Procesi i Berlinit, ishin krijuar dilema dhe dyshime për sa i përket procesit integrues të Ballkanit Perëndimor, pra, ka pasur edhe shumë dëshpërim në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Pikërisht, për shkak të procesit tejet të ngadalshëm të integrimeve euroatlantike, sekush sipas mënyrës së vet ka kërkuar rrugë të ndryshme shpëtimi. Pikërisht për shkak të mungesë së rezultateve në Procesin e Berlinit ka ardhur deri te hapja e temës dhe krijimit të iniciativës “Open Ballkan”. Tani ringjallja dhe riaktivizimi i Procesit të Berlinit konsideroj se është rikthim i Ballkanit në rrjedhat e qarta të integrimeve evropiane dhe natyrisht mbetet të shihet se çfarë risish do të sjellë Samiti i 3 nëntorit, përveç asaj që është thënë nga të gjitha palët se perspektiva e Ballkanit Perëndimor në të ardhmen është në Bashkimin Evropian.”

Ngecja në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është një ndër faktorët që kanë penguar ecjen dhe arritjet në Procesin e Berlinit të filluar në vitin 2014 nga nga kancelarja Angela Merkel. Raportet e tensionuara Kosovë - Serbi kanë penguar edhe jetësimin e Marrëveshjes për Tregun e Përbashkët Rajonal, e cila edhe tani është pikërëndesë e Samitit të Berlinit.

Nga fillim i procesit, pasivizimit të tij dhe deri te ringjallja tani e Procesi të Berlinit, zbatim ka gjetur vetëm marrëveshja për heqjen e roamingut ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

 


MË SHUME NGA Lajme