Zgjedhen tre finalistët e çmimit "Artistët e së nesërmes"
BKT
Kulturë

Zgjedhen tre finalistët e çmimit "Artistët e së nesërmes"

Sh.Gashi / RTKlive

Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka shpallur ekspozitën e finalistëve të çmimit "Artistët e së nesërmes" për vitin 2022.

Juria e çmimit “Artistët e së nesërmes” e përbërë nga Anne Barlow, drejtoreshë e TATE St Ives, Miljana Dungjerin, drejtoreshë e Qendrës Kulturore private "Akvarijus", Laura Raicovich, kuratore, Bernhard Rüdiger, profesor në ‘École Nationale des Beaux Arts’ në Lyon dhe Driton Selmani, artist, ka zgjedhur tre finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” për vitin 2022 e që janë Mimoza Sahiti, Valdrin Thaqi, Agrina Vllasaliu.

Finalistja e parë Mimoza Sahiti ka lindur dhe është rritur në Offenbach të Gjermanisë. Ajo ka studiuar ekonomi deri në vitin 2018 dhe ka filluar studimet për pikturë në akademinë e arteve të bukura në Vjenë që nga tetori i vitit 2022.

Finalisti i dytë Valdrin Thaqi ka lindur në vitin 1994, në Skenderaj. Diplomoi në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, në vitin 2019, dega e pikturës. Praktika e tij artistike përfshin, pikturën, skulpturën dhe artin konceptual.

Finalistja e tretë Agrina Vllasaliu, ka lindur më 8 gusht 1990 në Prishtinë, por është rritur në Berlin të Gjermanisë që kur ishte dy vjeç.

 “Artistët e së nesërmes” është një projekt unik që u ofron artistëve të arteve pamore nën moshën 35-vjeçare mundësinë që të krijojnë vepra të reja, të bëhen pjesë e një procesi specifik që përfshinë vlerësimin e veprave dhe artistëve nga një juri kredibile ndërkombëtare dhe mundësi që të bashkëpunojnë me ekipin kuratorial të Stacion - Qendrës për Art Bashkëkohor në Prishtinë. Po ashtu, ky projekt ofron mundësi pjesëmarrjeje në ekspozitën vjetore të finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes” dhe të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të  përjetuar dinamikën e skenës artistike të Nju Jork-ut, për dy muaj qëndrimi në “Residency Unlimited”.

Pas kthimit nga SHBA artistët fitues bëhen pjesë e programit vjetor të Stacion-Qendrës për Art Bashkëkohor në Prishtinë me ekspozitën personale që shfaqet në Klubin e Boksit në Prishtinë.

Mbështetësit kryesor të çmimit “Artistët e së nesërmes” janë: Trust for Mutual Understanding (TMU), Komuna e Prishtinës, X-print dhe DZG.


MË SHUME NGA Kulturë