Punëtoret e sektorit privat kërkojnë të përfshihen në Pakon e inflacionit
BKT
Lajme

Punëtoret e sektorit privat kërkojnë të përfshihen në Pakon e inflacionit

Arbenita Marmullaku / Radio Kosova

Mospërfshirja e sektorit privat në Pakon për Përballje me Inflacionin ka shkaktuar pakënaqësi.

Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës, gjatë javës do të vendosë për protestë ndaj qeverisë për siç thonë nga federata, mos stimulim nga ana e qeverisë për sektorin privat. AKB i bënë thirrje qeverisë që përveç pakos, të rishikojë edhe politikat fiskale.

Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës kërkon nga Qeveria shtesa edhe për punonjësit e sektorit privat. Një ditë pasi u ekzekutuan mjetet shtesë për punonjësit publikë, të përfshirë në Pakon kundër inflacionit, përfaqësuesit e punonjësve privatë kanë kërkuar që shtesa të ndahen edhe për ta.

Kryetari i sindikatës, Jusuf Azemi, i tha Radio Kosovës se punëtorët e sektorit privat në Kosovë janë të diskriminuar në raport me zbatimin e ligjit të punës dhe të tjera.  Sipas tij, mospërfshirja e punëtorëve të sektorit privat në pakon për zbutje të inflacionit, do të çojë në protesta. 

“Mua më është imponuar nga kryetarët e shoqatave dhe pasnesër do të merret vendim që të fillohet me protesta ndaj qeverisë për mos stimulimin e punëtorëve të sektorit privat të Kosovës”, ka thënë Azemi.

Azemi  tha se këtë shqetësim e kanë përcjellë te kryeministri Albin Kurti dhe te ministri i Financave, Hekuran Murati, ku përmes një letre i kanë kërkuar heqjen e kushtëzimeve për kompanitë private.

Kjo pako ka ardhur me qëllim të zbutjes së inflacionit të lartë që po e përcjell vendin. Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se qeveria do të duhej të përfshinte edhe sektorin privat si dhe kategorinë e të papunëve.  Shahini, përveç kësaj pakoje, e cila tha se është e mirëpritur, i bëri thirrje qeverisë që të dalë nga kjo situatë duke bërë rishikimin e politikave fiskale.

“Qeveria ka marrë vendim për një pako sociale e cila do t’i prekë disa kategori por i përjashton disa të tjera. Qeveria duhet të nxitë politika zhvillimore duhet të shikojë reformimin e politikave fiskale të përkohshme. Rishikimi i politikave fiskale do të thotë reduktimi i politikave tatimore në artikujt bazë siç janë produktet ushqimore dhe energjia. Qeveria mund t’i bëjë këto”, ka thënë Shahini.

Edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka kërkuar nga qeveria që të ndajë nga 200 euro për punëtorët e sektorit privat dhe të merret në konsideratë gjendja e rënduar financiare e bizneseve.  

Ndryshe, Qeveria ka ndarë mjete nga Pakoja për Përballjen me Inflacionin për pensionistët, për familjet me asistencë sociale si dhe për punëtorët e sektorit publik. Ndërsa ka premtuar se shtesa do t’u ndajë edhe studentëve dhe ndërmarrjeve publike si dhe subvencionim prej 50% të rritjes së pagës deri në 100 euro për punëtorët e sektorit privat për 3 muajt e parë.


MË SHUME NGA Lajme