Paris, Bruksel, Berlin, Prishtinë, Beograd-dakordim të heshtet për planin
BKT
Foto: politico.eu
Lajme

Paris, Bruksel, Berlin, Prishtinë, Beograd-dakordim të heshtet për planin

Jeton Musliu/RTKlive

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksndar Vuçiq, janë pajtuar që të mos diskutojnë në publik në lidhje me planin gjermano-francez, lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Një burim pranë qeverisë gjermane, deklaroi se Gjermania e di se rajoni po ‘vlon’ duke debatuar në lidhje me këtë temë, ndërkohë që janë duke heshtur Parisi, Brukseli e Berlini. 

“Kjo është për shkak se me bashkëbiseduesit tanë, kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, kemi rënë dakord që të heshtet”, thotë ky burim pranë qeverisë gjermane.

Ai thotë se kryeqendrat evropiane duan që t’i përmbahen këtij dakordimi, ndonëse drejtimi i synuar tanimë nuk është sekret.

“Pasi kemi paraqitur idetë tona, ne jemi optimistë të kujdesshëm. Sigurisht, mendoj se ka ende shumë punë për të bërë. Por kemi përshtypjen se edhe në Prishtinë edhe në Beograd, përfitimet e propozimit tonë janë kuptuar”, thotë ky burim për RTKlive.

Sipas tij, propozimi kërkon nga të dyja palët pragmatizëm, e nga ana tjetër gatishmëri për kompromis. “Por ofron gjithashtu një sërë avantazhesh”.

“Koha nuk është në favor të rajonit”, thotë ky zyrtar për RTKlive. “Ne e shohim se sa e paqëndrueshme është situata”.

Burimi deklaron se Gjermania nuk ka asnjë iluzion kur bëhet fjalë për sfidat.

“Unë mendoj se situata është jashtëzakonisht e rëndë, dhe ky është tani një moment i së vërtetës për të gjithë”.

Sipas tij, liberalizimi i vizave për Kosovën edhe mund të diskutohet në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit, por nuk do të jetë temë kryesore.


MË SHUME NGA Lajme