Gjermania e qetë, administrata Biden s’i befason sikurse ajo e Trump
Jeton Musliu/RTKlive
Gjermania është e qetë sa i përket koordinimit me administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, kur bëhet fjalë për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Kështu deklaroi një burim qeveritar për RTKlive, duke folur rreth asaj nëse edhe amerikanët qëndrojnë plotësisht prapa Procesit të Berlinit.
“Jo, ne nuk kemi frikë të tillë me këtë administratë (administratën amerikane v.j). Jemi shumë ngushtë të dakorduar”, tha ky burim, duke treguar se Gjermania nuk ka frikë se amerikanët mund të mbajnë bisedime paralele në disa çështje siç është dialogu Kosovë/Serbi.
“Edhe SHBA shpreh mirënjohje e vlerësim ndaj Gjermanisë e Francës për angazhim në tema si dialogu Kosovë-Serbi dhe Procesin e Berlinit”.
Ky burim pranë qeverisë gjermane, rikujton se amerikanët ofrojnë mbështetje të plotë në këto përpjekje. “Ne kemi nevojë për këtë, sepse është e rëndësishme që ne jemi e shfaqemi së bashku”, thotë ky burim i afërt me kancelarin gjerman.
Megjithatë, si është e mundur që Vuçiq cilësohet si politikan që e kupton situatën gjeopolitike dhe në anën tjetër vazhdon të bëjë atë që ka bërë gjithmonë, duke shkruar në ekstreme, herë me BE-në e herë me Rusinë?
Diplomati gjerman deklaron se kjo situatë tashmë po bëhet më e qartë për të gjithë, duke shtuar se Serbia tradicionalisht ka kontakte të ngushta me Rusinë.
¨Kjo nuk ka të bëjë vetëm për shkak të Vuçiqit, por tërë vendin në përgjithësi.
Kemi përshtypjen se ai është i vetëdijshëm për këtë”.
Sidoqoftë, në një problem edhe më të madh për BE-në është shndërruar Serbia, e cila ka hequr vizat për qytetarët e shumë vendeve, përfshirë disa afrikane, qytetarët e të cilave, pastaj migrojnë ilegalisht në vendet perëndimore.
“Kjo është një temë shumë serioze së cilës edhe ne po i përkushtohemi intensivisht, por ende nuk ka përshtypje se po shfrytëzohet qëllimisht”, thotë ky zyrtar i qeverisë gjermane.
Ky burim rikujton se vetë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, por edhe komisionarët e tjerë përgjegjës, ishin atëherë në Serbi.
“Tani të paktën po japin sinjale se politika e vizave duhet të përafrohet më ngushtë me atë të BE-së”.























