“Bonusi i Rijetësimit”, të tjera Monumente Kulture do të restaurohen
atsh
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, pas vizitës së fundit në Korçë, ka dhënë lajmin e restaurimit të dy objekteve të tjera, të cilat përfitojnë nga “Bonusi i Rijetësimit”.
Bëhet fjalë për shtëpinë Kote, një nga më të njohurat në qytetin e Korçës. Ndërtesa karakteristike e cila daton në gjysmën e parë të shekullit të 19-të, falë “Bonusit të Rijetësimit”, do të restaurohet dhe rijetësohet, duke u kthyer në shtëpi pritëse. Shtëpia Kote është Monument Kulture Kat. I.
Margariti ka bërë të ditur në rrjete sociale se edhe Hani i Gjelit, prej vitesh i kthyer në një gërmadhë do të kthehet në një qendër shërbimesh e hotelerie, pa harruar edhe një galeri arti, e cila do të mbështetet nga Ministria e Kulturës.
“Bonusi i Rijetësimit” është një nga projektet madhore të qeverisë, prej të cilit deri më tani kanë përfituar 40 aplikantë, pronat e të cilëve po u nënshtrohen restaurimit. Ministrja ka thënë se ky projekt do të vazhdojë edhe përgjatë vitit 2023, me një fond shtesë prej 50% të atij aktual.























