Komisioni për Integrime Evropiane miraton katër projektligje
V. Thaçi / RTKlive
Komisioni për Integrime Evropiane, kryesuar nga Rrezarta Krasniqi, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar katër projektligje.
Projektligjet përfshijnë amendamentet e Komisionit funksional, nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.
Projektligjet e miratuara në këtë takim janë: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për noterinë, Projektligji për mbështetjen e punëve publike, Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, si dhe Projektligji për zbatimin e sanksioneve financiare ndërkombëtare të shënjestruara.
Gjatë shqyrtimit të këtyre projektligjeve, sidomos të atij për Noterinë dhe atë të Masave të përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, u zhvillua debat me dallime të theksuara ndërmjet përfaqësuesve opozitarë dhe shumicës së përfaqësuar në Komision.
Derisa projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për noterinë, nga opozita u vlerësua i papranueshëm, për shkak se ministres së Drejtësisë i mundëson përzgjedhjen e noterëve, Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, ndërkaq, opozita e cilësoi si anti kushtetues.
Për këtë shkak, përfaqësuesit opozitarë nuk morën pjesë në votim të këtyre projektligjeve.























