Presidentja emëron anëtarët e rinj të Këshillit Konsultativ për Komunitete
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka emëruar sot 27 anëtarët e rinj të Këshillit Konsultativ për Komunitete, me mandat dy vjeçar.
Emërimi i tyre sipas presidencës është rezultat i një procesi të nominimit brenda secilit komunitet dhe në fund emërimit nga Presidentja e Republikës.
“Bazuar në Rregulloren e KKK-së, brenda tridhjetë ditëve pas emërimit të anëtarëve të rinj, Këshilli e mban takimin e vet konstituiv, i cili do të kryesohet nga anëtari më i vjetër i Këshillit dhe nga radhët e tij zgjedh kryesinë e Këshillit’, thuhet në njoftim.
Ky Këshill i përbërë prej 27 anëtarësh do të ketë nga dy përfaqësues të komunitetit rom, egjiptian, goran, ashkali, malazez dhe kroat. Nga tre përfaqësues të komunitetit boshnjak dhe turk. Pesë përfaqësues do të jenë aty nga komuniteti serb, një përfaqësues i lartë i Zyrës së Presidentes dhe tre përfaqësues të lartë të Qeverisë, që caktohen nga ministria apo agjencia, fushëveprimi i të cilëve është me rëndësi të veçantë për komunitetet.
Ky Këshill për qëllim ka sigurimin e mekanizmit për shkëmbimin e mendimeve në mes të komuniteteve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.
“KKK-ja u ndihmon komuniteteve dhe bën artikulimin e qëndrimeve të komuniteteve joshumicë dhe përfaqësuesve të tyre kur janë ne pyetje legjislacioni, politikat publike dhe programet më rendësi të veçantë për komunitetet”, ka treguar presidenca në njoftim.
Gjithashtu, ky Këshill siguron forumin për koordinim dhe këshilla në mes të komuniteteve dhe siguron funksionimin organizativ të cilat i përfaqësojnë komunitetet në bazë të Rregullores, e cila është miratuar nga ana e Këshillit Konsultativ për Komunitete.























