Konjufca: Serbia po e minon paqen në rajon
BKT
Foto/RTKlive
Lajme

Konjufca: Serbia po e minon paqen në rajon

Valnmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Nga salla plenare e Kuvendit, kreu i legjislativit Glauk Konjufca ka thënë se Kosova e do paqen dhe stabilitetin në rajon, por këtë paqe dhe stabilitet po e minon Serbia.

Këto deklarime kryeparlamentari i bëri nga foltorja e institucionit që ai drejton në takimin e nëntë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë, dhe i treti vetëm në legjislaturën e tetë.

“Republika e Kosovës në politikat e saj strategjike të orientimit rreshtohet fuqishëm me ato të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s për paqe dhe stabilitet. Ne duam paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, por jemi plotësisht të vetëdijshëm se paqen dhe stabilitetin po e kërcënon dhe minon Serbia. Koncentrimi i këtyre ditëve të fundit i forcave ushtarake të Serbisë dhe grumbullimi i tyre përgjatë kufirit me Kosovën nuk është mesazh e porosi e një shteti që dëshiron të ndërtojë marrëdhënie të mira fqinjësore me Kosovën”, ka thënë para të pranishmëve Konjufca.

Prandaj ai ka kërkuar që BE-ja ta dënojë këtë veprim të Serbisë.

Kritika karshi BE-së patën qeveritarët që i quajtën të padrejta përpjekjet për të lidhur procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me ETIAS-in.

Ministri Elbert Krasniqi tha se Kosova për një kohë të gjatë është lënë prapa në procesin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.

“Procesi i liberalizimit të vizave ka përfunduar te të gjitha pesë vendet tjera të Ballkanit Perëndimor dhe tash jemi vendi i vetëm që i nënshtrohemi regjimit të vizave. Përpjekjet për të lidhur këtë proces me ETIAS janë të padrejta, jo fer dhe të paarsyeshme”, deklaroi në këtë takim ai.

Ndërkohë, Romeo Franz deputet i Parlamentit Evropian që është edhe bashkëkryesues i Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, tha se Kosova meriton liberalizimin e vizave, ndërkaq për dialogun Kosovë-Serbi tha se duhet të ketë njohjen reciproke.

“Kosova ka përmbushur gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe se propozimi për liberalizim të vizave është ende në Këshill dhe duhet të trajtohet si çështje urgjente. Nevoja për liberalizim të vizave ka qenë një pozicion shumë i fuqishëm i Parlamentit Evropian i shprehur në rezolutat tona, por edhe takime tona në shumë situata. Kosova meriton liberalizimin e vizave, jemi të bindur se qytetarët e Kosovës meritojnë liberalizimin e vizave… Po ashtu, inkurajojmë vazhdimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit me një njohje të ndërsjellë, si një marrëveshje themelore dhe gjithëpërfshirëse”.

Nga ana tjetër, Mimoza Kusari Lila, po ashtu bashkëkryesuese e këtij komisioni tha se shteti ka shënuar progres përkundër sfidave që ka pasur.

“Kosova sot renditet më mirë sipas indeksit të Transparency International dhe është kampione sa i përket reformave në sundimin e ligjit. Parlamenti i Kosovës ka pasur një progres duke miratuar 84 ligje, nga të cilat 18 marrëveshje ndërkombëtare”, ka thënë ajo.

Se Kosova ka plotësuar kriteret për lëvizje të lirë në Evropë e tha edhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Shefi i BE-së nuk kaloi pa lënë porosi edhe për dialogun. Nga Kosova e Serbia kërkoi konstruktivitet.

“Është me rëndësi që të përmbushen dhe zbatohen të gjitha obligimet e mbetura nga marrëveshjet e kaluara. Sa i përket liberalizmit, ne e dimë se qëndrimi i Komisionit Evropian nuk ka ndryshuar. Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave.

Edhe të premten do të vazhdojë ky takim i Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE- Kosovë.


MË SHUME NGA Lajme