Zëvëndskryeministri Bislimi shpjegon tri marrëveshjet e nënshkruara
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi ka komentuar tri marrëveshjet e nënshkruara sot në kuadër të Procesit të Berlinit. Ka thënë se Kosova është e angazhuar dhe e përkushtuar për bashkëpunim rajonal dhe do të shtyjë përpara marrëveshje të reja në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Procesit të Berlinit.
Numri dy i qeverisë kosovare ka thënë se pas gati dy vitesh negociata në mes të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, Republika e Kosovës sot ka nënshkruar tri marrëveshje në kuadër të Procesit të Berlinit përmes të cilit jetësohet Tregu i Përbashkët Rajonal.
Marrëveshjet e nënshkruara sot, janë ato për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.
“Përmes marrëveshjes për lëvizje të lirë me letërnjoftime, qytetarët e të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor do të lëvizin lirshëm duke përdorur vetëm letërnjoftimin e njërës nga shtetet sipas legjislacionit në fuqi. Pas ratifikimit të kësaj marrëveshje, qytetarët e Kosovës dhe Bosnjës dhe Hercegovinës më në fund do të lëvizin lirshëm vetëm me letërnjoftime, duke sjellë Prishtinën dhe Sarajevën afër qytetarëve të dy shteteve tona”, ka shkruar Bislimi.
Tutje ai ka thënë se me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë, diplomat e institucioneve publike të arsimit të lartë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, do të njihen me procedura të thjeshtësuara dhe falas, duke hequr një pengesë kyçe për mobilitetin e studentëve, akademikëve dhe fuqisë punëtore brenda rajonit.
“Pra, do të eliminohen edhe pengesat e shumta të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në lidhje me mosnjohjen e diplomave”, ka thënë ai.
Ndërkohë sipas tij me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve profesionale, bëhet e mundur që profesionet e mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve të ushtrohen lirshëm në secilin nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve që në shtetin pritës, të ushtrojnë të njëjtin profesion për të cilin janë kualifikuar në shtetin amë dhe ta realizojnë këtë në kushte jo më pak të favorshme se sa qytetarët e shtetit pritës”.
Bislimi ka shprehur angazhimin dhe përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim rajonal duke thënë se do të shtyjnë përpara marrëveshje të reja në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Procesit të Berlinit.
Marrëveshjet e nënshkruara sot pritet të fuqizohen pas kryerjes së procedurave të brendshme të ratifikimit në secilin nga gjashtë shtetet.
























