Për bisedimet Kosovë-Serbi, analistët kërkojnë transparencë|Video
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Për bisedimet Kosovë-Serbi, analistët kërkojnë transparencë|Video

Elmina Osmani/RTK

Ndonëse muajt e fundit e gjithë diplomacia ndërkombëtare kishte kthyer vëmendjen nga dialogu Kosovë-Serbi, zërat për një marrëveshje mes palësh ishin shtuar ditëve të fundit ku qeverisë së vendit po i bëhet presion që vendimi për targat të shtyhet pa kushtëzime.

Analistët për çështje politike në vend po konsiderojnë se për një marrëveshje mes palëve duhet punë dhe angazhim maksimal.

Arritja e një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë padyshim se do të jetë një ngjarje historike. Mirëpo për të arritur deri tek ajo, sipas analistit politik, Artan Muhaxheri, duhet një vullnet maksimal i tre faktorëve kryesorë, Kosovës, Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare, garanci të shumta, vullnet i jashtëzakonshëm politik dhe gatishmëri për kompromise.

 “Në këtë periudhë do të kemi edhe plane e ide të ndryshme që do t’i paraqiten edhe Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë në mënyrë që të arrihet gradualisht drejt një plani i cili do të jetë i pranueshëm për të dyja palët”, thotë analisti Artan Muhaxheri.

“Dhe është mirë që Qeveria e Kosovës t’i njoftojë qytetarët se paku me indikacione për atë se çfarë flitet në prapa skenë, sepse qytetarët e Kosovës e meritojnë t’i dinë edhe opsionet të cilat janë aktualisht nëpër zyrat edhe të Kosovës dhe Serbisë, për të cilat po bisedohet”.

Ndërkaq, Blerim Canaj, opinionist, konsideron se prezenca e Gjermanisë dhe Francës në procesin e dialogut mund të sjellë rezultat në këtë proces.

 “Vetë fakti që me çështjen e dialogut po merren kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emanuel Macron edhe nëse nuk do të ketë së shpejti marrëveshje Kosovë-Serbi, me siguri do të jetë një zotim i stilit të Ëashingtonit”, thotë opinionisti Canaj.

“A do të ulen apo jo në tavolinë, besoj se kësaj nuk do të mund t’i shmanget askush, kushdo që është në pushtet. Ajo është një detyrë që ne duhet ta kryejmë sepse e kemi edhe obligim shtetëror”.

Analistët po ashtu thonë se qeveria do të duhej të ishte më transparente për këtë çështje pasi që ia ka borxh publikut t’ia thotë të paktën ndonjë pjesë brenda asaj marrëveshjeje apo sa është e gatshme qeveria ta nënshkruajë apo jo këtë marrëveshje, sepse pasojat do t'i bartin qytetarët.

 


MË SHUME NGA Lajme