Muja i LVV: Bashkë me njohjen nga Serbia duhet të jetë edhe ulësja në OKB
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Dialogu i lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe bashkëpunimi rajonal kanë qenë tema të diskutimit në punimet e ditës së dytë të takimit të nëntë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim, BE – Kosovë nën udhëheqjen e eurodeputetit, Romeo Franz.
Në sallën plenare eurodeputeti austriak, Lukas Mandl ka qenë kritik për vetë emrin që i është vendosur agjendës së këtij takimi, ku përmendet dialogu Prishtinë- Beograd.
Ai tha se ky dialog është mes dy shteteve e jo mes dy qyteteve.
Mandl, në këtë fjalim tha se është e rëndësishme që Bashkimi Evropian e ndërmjetëson dialogun, por tha se nuk duhet të nënvlerësohet roli pozitiv i Shteteve të Bashkuara në këtë proces.
“Agjenda thotë dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit. E njoh këtë gjuhë shumë mirë, por besoj se ky nuk është dialog mes dy qyteteve, nuk po flet kryetari i Beogradit me atë të Prishtinës, por është dialog mes dy shtetesh duhet ta bëjmë të qartë në fillim se është dialog mes dy shteteve, shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, derisa shtoi se edhe Bashkimi Evropian duhet ta theksojë këtë.

Ai tha se liberalizimi i vizave për kosovarët është vonuar shumë.
“Kriteret janë plotësuar nga Republika e Kosovës. Parlamenti Evropian disa herë ka votuar me shumicë votash pro liberalizimit të vizave, dhe supozoj se edhe në Këshill, sigurisht që shumica ka një pikëpamje të qartë për gjërat, dhe është pro liberalizimit të vizave, por ne ende i kemi këto parime unanimiteti në Këshill, që po bllokon Evropën. Po ashtu, liberalizimi i vizave për Kosovën për shkak të një numri të vogël të shteteve anëtare, dhe qartë shpresojmë që të mos përdoret si levë për Kosovën në dialog”.
Ndërkohë deputeti Armend Muja ka thënë se marrëveshje përfundimtare me Serbinë është ajo që nuk e ndan njohjen nga ulësja në OKB. Pra, një marrëveshje sipas tij e cila ka vetëm njohjen nga OKB-ja ose njohjen nga Serbia, mund të jetë marrëveshje, por nuk është përfundimtare.

“Andaj njohja nga Serbia, ulësja në OKB, njohja nga pesë vendet e BE-së dhe anëtarësimi në NATO, paraqesin zgjedhje të përkushtimit tonë strategjik ndaj BE-së dhe botës së lirë dhe përbënë zgjidhje të dilemës së sigurisë për Kosovën”, ka thënë ai.
Kritika karshi qeverisë rreth këtij procesi ka pasur LDK-ja.
Rrezarta Krasniqi tha se qeveria nuk ka transparencë në raport me dialogun dhe ka mungesë të strategjisë dhe platformës së qartë politike për këtë proces.
“Janë shkelur një sërë rezolutash të miratuara nga Kuvendi që e obligojnë qeverinë të raportojë para e pas çdo takimi në Kuvendin e Kosovës. Kuvendi dhe qytetarët ende nuk e dinë cila është korniza e dialogut dhe cili është qëndrimi i kryeministrit Kurti karshi këtij procesi, sa delikat po aq edhe i rëndësishëm”, tha tutje ajo.

Ndërkohë siç u shpreh ajo, qeveria po bën gabim të madh që në emër të ligjshmërisë ka vendosur t’i përkeqësojë marrëdhëniet me aleatët më të ngushtë.
“Kosova nuk ka pse të zgjedhë mes ligjshmërisë dhe aleatëve tanë kryesor, Kosova duhet t’i ketë të dyja edhe ligjshmërinë edhe aleatët ndërkombëtar. Duhet të kuptojmë që një qeveri që sjellë vendimin para një zgjidhje të tillë ka dështuar që në fillim”, tha në këtë takim Krasniqi.
Kritika pati edhe shefi i deputetëve të AAK-së Besnik Tahiri, derisa ka përcjellë porosi për Bashkimin Evropian.
“Kam një porosi në emër të AAK-së dhe kjo është që fokusi i BE-së dhe Parlamentit Evropian duhet të jetë në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme me njohje reciproke në mes të vendeve dhe njëherë e përgjithmonë ky konflikt e ky dialog të përfundojë. Dialogu iu cili prodhon fotografi të bukura, nënshkrime pa vlerë, pa efekte në terren nuk i kontribuon dhe në esencë nuk është në funksion të qëllimit të dialogut”, tha ai.

Sipas tij, qëllim është që njëherë e përgjithmonë të përfundojë një konflikt i hapur, të stopojë një agresion të shtetit fqinj që është aleati kryesor i Rusisë dhe i cili tash e sa kohë e pengon Kosovën në këtë drejtim.
Ndërkohë fjala e Armend Mujës në emër të Grupit Parlamentar të LVV-së si duket nuk i ka pëlqyer bashkëpartiakut të tij që është kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi.
“Unë kam folur në emër të Grupit e kësaj radhe nuk më është lejuar të flas në emër të Grupit Parlamentar. Me sa duket kryeministri ka vendosur t’ia jap të drejtën Armend Mujës të flasë për dialogun, por ky pozicion i imi është ai i deputetit”, ka thënë Abazi.
“Është një propozim franko-gjerman në tavolinë, shumica e njerëzve nuk e dinë se për çfarë bëhet fjalë në të sepse nga palët është kërkuar që ta mbajnë këtë marrëveshje konfidenciale deri në njëfarë mase. Pra asnjë marrëveshje, edhe më e mira marrëveshje e paraqitur ndërkombëtarisht nuk qëndron nëse nuk e përmban pronësinë që e ka populli. Transparenca, llogaridhënia dhe diskutimi për çfarë behët fjalë, kjo duhet tu tregohet njerëzve sepse përndryshe mund të ketë reagim nga gjitha nivelet e shoqërisë. Pra, marrëveshja apo propozimi franko-gjerman tregon se dialogu ka dështuar, Lajçaku nuk e ka përfunduar mandatin e vetë” .

Ai ka qenë kritik edhe ndaj shefit qeveritar që e ka edhe shef në parti, Albin Kurtit.
“Më vjen keq për kryeministrin që po e luan rolin e kryeministrave të parë që po e mbanë informacionin larg popullit, kjo nuk është mënyra e shkuarjes përpara sepse kjo shkon në avantazh të Serbisë që do ta mbajë Kosovën në një pozitë e të blejë kohë dhe të pritet çfarë do të ndodhë me luftën në Ukrainë. Pra të jemi të kujdesshëm nga po shkojmë”, tha ai.
Por, deputetja tjetër e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu- Hyseni tha se asnjëherë nuk ka pasur ndonjë përfaqësues të Republikës që në procesin e dialogut ka pasur qëndrime më të qarta se sa ka kryeministri Kurti, sot.

“Ekziston një platformë në bazë të së cilës është ndërtuar dialogu nga pala kosovare, është platforma gjashtë pikëshe që të parën pikë e ka njohjen reciproke”, tha ajo.























