“Bonusi i Rijetësimit”, punime restauruese në banesën Mjeshtri në Berat
ATSH
Në kuadër të programit “Bonusi i Rijetësimit”, janë duke u restauruar banesa me vlera për trashëgiminë kulturore, në Berat.
Njëra prej tyre është banesa e familjes Mjeshtri, në lagjen Kala, përfituese e bonusit për restaurimin dhe mirëmbajtjen, ku ndërhyrja konsiston në restaurimin e çatisë dhe fasadës.
Problematikat që shfaqte banesa ishin: degradimi i çatisë dhe i elementeve drusore të saj, degradimi i strehëve të çatisë, degradimi i dritareve prej druri në muraturë guri, dëmtimi i fasadës me skelet druri dhe lyerjet pa kriter me sherbet gëlqereje në muraturën e gurit.
Ndërhyrjet që janë duke u zbatuar në banesën Mjeshtri janë restaurimi i çatisë, hidroizolimi, mbulimi me tjegulla vendi, restaurim dritaresh, trajtim me vaj lini e anti molë i të gjithë elementeve drusorë të pamjes së jashtme të banesës, si porta, dritaret, fashaturat horizontale dhe strehët.
Berati dhe Gjirokastra si dy qytete UNESCO, janë dy nga përfituesit më të mëdhenj të fondit që ka “Bonusi i Rijetësimit”.























