Mirëpritet heqja e vizave ndërmjet Bosnjës dhe Kosovës
Intervistoi: Rrezarta Zekaj/Radio Kosovë
Heqja e vizave ndërmjet Bosnjës dhe Kosovës është mirëpritur nga shqiptarët që jetojnë atje.
Muharrem Zejnullahu, kryetar i Komunitetit të Shqiptarëve në Bosnje e Hercegovinë, në një intervistë për Radio Kosovën flet për vështirësitë që kanë pasur qytetarët e dy vendeve për vizita familjare, për rritjen e bashkëpunimit në gjitha fushat, por edhe për mos angazhimin e duhur të institucioneve të Kosovës në këtë drejtim dhe mundësinë ose jo, të pengesës së përfaqësuesve të Republikës Srpska në ratifikimin e marrëveshjes.
Radio Kosova: Si e keni pritur lajmin për heqjen e vizave ndërmjet Bosnjës dhe Kosovës, në kuadër të Procesit të Berlinit?
Muharrem Zejnullahu: Komuniteti shqiptar në Bosnjë e Hercegovinë me vite të tëra, thuajse që nga viti 2004, është në pritje të heqjes së vizave nga BeH, si dhe nga 2014 nga Kosova, ku Qeveria e asaj kohe aplikoi sistemin e reciprocitetit me viza me Bosnje e Hercegovinën. Ky reciprocitet definitivisht e bllokoi çdo mundësi të lëvizjes së lirë, jo vetëm të qytetarëve të thjeshtë, por edhe i ndërpreu ato lidhje familjare të cilat ekzistojnë ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës. Së pari, duhet të falënderojmë zonjën Majlinda Bregu, përfaqësuesen e RCC në Sarajevë ( Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal) e cila nga marrja e detyrës ka punuar shumë në këtë drejtim, jo vetëm për heqjen e vizave, por në përgjithësi edhe për qarkullimin e lirë të njerëzve, e në veçanti tani edhe me Kosovën. Ne kemi kërkuar si bashkësi shqiptare, nëse për çështje të njohura të cilat e bëjnë të pamundur për momentin, ose për gjithë këtë kohë, pranimin apo njohjen e pavarësisë së Kosovës, atëherë ku është problemi që BeH nuk i njeh dokumentet. Ato kanë qenë kërkesa permanente ndaj institucioneve të BeH, fatkeqësisht nuk kemi arritur asnjëherë të hasim në mirëkuptim që njohja e dokumenteve, nuk do të thotë edhe njohje e pavarësisë në mënyrë automatike. Ndërmjet dy vendeve ka qenë në fuqi një sistem tepër rigoroz, tepër i pakuptimtë, me shumë barriera e me shumë probleme, për të marrë një vizë. Ka pasur raste që njerëzit për rast vdekjeje në familje, si prindi për fëmijë dhe fëmija për prind, nuk kanë mundur të jenë pjesëmarrës në varrim në Bosnjë dhe anasjelltas, dhe shumë çështje të tjera” .
Radio Kosova: Sa do të ndikojë lëvizja e lirë, në bashkëpunimin ekonomik por edhe në fusha të tjera?
Muharrem Zejnullahu: Ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës nuk është asnjë problem i hapur, që i ngarkon për vendosjen e një bashkëpunimi, një marrëdhënie të mirëfilltë ndërmjet dy shteteve ashtu siç ka ekzistuar në të kaluarën. Dikur BeH në Kosovë ka qenë si republika më e prezantuar ekonomikisht me subjektet ekonomike e sot nuk është. Shpresoj se me heqjen e vizave, lëvizjen e lirë vetëm me letërnjoftime, njohjen e dokumenteve e diplomave do të mundësohet që ai bashkëpunim i dikurshëm të fillojë në të mirë të një standardi, e në radhë të parë do të jetë një mundësi e veçantë që njerëzit, familjarët, lirshëm të qarkullojnë andej e këndej. Më në fund, familjarët e atyre që kanë rënë dëshmorë në luftën e fundit në BeH, do të mundë të vijnë të bëjnë lutje në varrezat e tyre dhe tërheqjen e trupave të tyre nga Bosnja për Kosovë, që deri tani ka qenë e pamundur. Në anën tjetër nuk do të jetë vetëm një bashkëpunim i madh ekonomik, por do të ketë edhe forcim të atyre lidhjeve kulturore të cilat kanë ekzistuar ndërmjet Prishtinës dhe Sarajevës, si në sistemin e arsimit, ku qindra studentë nga Bosnja kanë qenë në Universitetin e Prishtinës, në veçanti në Fakultetin e Mjekësisë dhe anasjelltas, qindra studentë nga Kosova këtu. Prandaj, heqja e vizave, e barrierave dhe në radhë të parë njohja e dokumenteve të Kosovës nga ana e BeH do ta bëjë të mundshëm përfundimisht një normalitet ashtu siç e meritojnë qytetarët edhe njërit edhe tjetrit vend e në radhë të parë të familjeve tona, që janë të ndara andej e këndej”.
Radio Kosova: Po si e vlerësoni angazhimin e institucioneve të Kosovës në këtë drejtim?
Muharrem Zejnullahu: Qeveritë e Kosovës, në të kaluarën po edhe tash, si bashkësi shqiptare nuk kemi hasur në një mirëkuptim që t;i dëgjojnë kërkesat tona, të cilat kanë qenë të vazhdueshme e të pandërprera, të dërguara në kabinete të institucioneve të Kosovës dhe të liderëve e udhëheqësve atje. Kjo, fatkeqësisht, për ne shqiptarët ishte e pakuptueshme që shteti yt, për të cilin shumë shqiptarë të Bosnjës kanë dhënë e kanë sakrifikuar, nuk kemi hasur në mirëkuptim. Por më në fund faktori ndërkombëtar, të cilit në vazhdimësi i jemi drejtuar, e mundësoi një gjë të tillë. Shpresoj se nga 3 nëntori e tutje do të jetë i harruar edhe ky episod që zgjati nga vitit 2004.
Radio Kosova: A mund të ketë problem në ratifikimin e marrëveshjes në parlament, nga ana e përfaqësuesve të Republikës Srpska në Bosnjë e Hercegovinë?
Muharrem Zejnullahu: Gjithmonë ekziston mundësia që të ketë pengesë, por besoj që në parlament nuk do të ketë një pengesë të tillë. Vetë fakti që i është dhënë leja kryetarit të Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës nga ana e Presidencës, është konsensus i plotë i miratuar edhe më pëlqimin e anëtarit të presidencës nga Republika Srpska, te kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës, që të nënshkruhet marrëveshja ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor për lëvizjen e lirë, largimin e vizave dhe njohjen e diplomave, jep të kuptohet që nuk do të ketë asnjë problem në këtë drejtim. Madje, këtu është njoftuar se marrëveshja do të fuqizohet me ratifikimin në parlament dhe me shpalljen në gazetën zyrtare të secilit shtet. U tha kështu, për shkak se formimi i parlamentit e institucioneve të Bosnje Hercegovinës do të zgjasë. Është raportuar se Këshilli i Ministrave i Bosnje Hercegovinës duhet të autorizohet që para ratifikimit ose para formimit të parlamentit të ri të Bosnje Hercegovinës që marrëveshja e 3 nëntorit, të hyjë në fuqi, me qëllim që të mos zgjasë edhe disa muaj, pas vitit të ri. Unë shpresoj që më në fund edhe liderët e BeH që vijnë nga Republika Srpska do ta mbajnë fjalën edhe për këtë çështje të mos pritjes së parlamentit të ri të hyrjes në fuqi të marrëveshjes së lëvizjes së lirë”.























