Gjykimi i Thaçit e të tjerëve synohet të nisë para fundvitit|Video
Valbona Thaçi / RTKlive
Ka filluar konferenca e 15-të mbi ecurinë e çështjes në rastin “Thaci e të tjerët”, ku për krime lufte, akuzohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të gjithë ish drejtues të lartë të UÇK-së.
Gjyqtari i procedurës paraprake, në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nicolas Guillou, tha në fillim të seancës se synon që të kalojë çështjen të trupi gjykues, për fillim të procesit gjyqësor, para fundit të këtij viti.
Në hapje të konferencës së 15-të mbi ecurinë e çështjes ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, gjykatësi Guillou konfirmoi se do të marrë vendim mbi kërkesat që janë paraqitur deri tani nga palët, por sipas tij:-“jo për ato që nuk janë urgjente”.
Ai tha se synon që të marrë vendim mbi kërkesat që i janë paraqitur deri tani për shqyrtim, por jo për kërkesa që nuk janë urgjente, e të cilat palët do t’i dorëzojnë nga dita e sotme deri në kalimin e çështjes te trupi gjykues. Krejt kjo, sipas tij, bëhet që të mos vonohen procedurat.
“Çdo kërkesë që do të jetë paraqitur deri në momentin e kalimit të çështjes gjyqësore të trupi gjykues, do të përfshihet në dokumentin e dorëzimit”.
Guillou tha se qëllimi i seancës së sotme është të shqyrtohet ecuria në çështje, nxjerrja e materialeve- përkthimet, hetimet e mbrojtjes dhe hapat e mëtejshëm, për 40 dëshmitarët e parë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe kërkesat shtesë të mbrojtjes të paraqitura në parashtrimet e tyre me shkrim.
Në këtë seancë mbi ecurinë e procesit gjyqësor, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, nuk gjenden fizikisht në sallë, por po marrin pjesë përmes videolidhjes nga qendra e paraburgimit.
Nga ana e tij, avokati Gregory Kehoe, që mbron Hashim Thaçin, deklaroi se nxjerrja e këtyre materialeve është bërë me vonesë.
Ai u shpreh se kjo ka ndodhur pavarësisht qortimeve të gjykatësit që nxjerrja e tyre duhet të bëhet menjëherë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Pas seancës private fjalën e mori Ben Emerson, avokati i Veselit i cili kërkoi që të shtyhet vendimi lidhur me materialet e rregullës 103 që kanë të bëjnë më falsifikimet e Shërbimit të Inteligjencës së Serbisë dhe të Rusisë, ai kërkoi që Guiollu të japë një urdhër që t'i rishikojë edhe një herë vendimet për lirim të përkohshëm.
Por Guillou sa i përket kërkesës për shtyrjen e vendimit, lidhur me mbajtjen në paraburgim, tha se dëshiron që mbrojtja të bëj një kërkesë të shkurtër me shkrim sepse sipas ligjit rishikimi bëhet çdo dy muaj dhe nëse ka ndonjë vonesë duhet të jetë e justifikuar dhe duhet të ceket se është me kërkesë të mbrojtjes.
Annie O’Riley, anëtare e grupit të mbrojtjes nga ekipi i Kadri Veselit kërkoi nga Guiollu që të kërkojë edhe një herë nga ZPS-ja që ti rishikojë edhe një herë të gjitha materialet për të cilat nuk është bërë kërkesë nga mbrojtja dhe të cilat duhet ti nxirren mbrojtjes sipas rregullës 102-103.
Kurse Prokurori Matthew Howling tha se nuk e shohin të arsyeshme që ti rishikojnë edhe një herë të gjitha materialet e rregullave 102-103, dhe shtoi se parashtrimet nga ana e mbrojtjes janë të tepruara.























