Deputetja Bajrami: Të hyrat janë si rezultat i inflacionit
M.Miftari/RTKlive
(E plotësuar) Komisioni për Buxhet, në kryesimin e deputetit Armend Muja, shqyrton projektligjin për ndarjen buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2023. Në këtë komision merr pjesë edhe ministri Murati.
Deputetja nga radhët e LDK-së,Hykmete Bajrami, reagoi ndaj raportit të ministrit Murati, e cila tha se krahasimi i buxhetit me 2020-tën nuk mund të krahasohet, ngase, sipas saj, duhet krahasuar me vitin paraprak, ku vendet fqinje ka pasur rënie ekonomike, ndërsa këtu thuhet se ka pasur rritje ekonomike, duke përdorur shifra 3.8 %.
“Për të pasur rritje ekonomike duhet që tremujori i fundit të jetë mbi 7% rritje ekonomike, pastaj buxheti për paga është vetëm 75 milionë ma shumë. Nuk keni rekrutuar mbi 10 mijë pozita shtesë mbi ligjin për paga. Duhet ta dini saktë koston e ligjit për paga”, tha deputetja Bajrami.
Tutje ajo vuri theksin në energji e sektorë të tjerë mbi ndarjen e buxhetit, nëse për energji të mund të jenë për veri apo për importin e energjisë.
“Keni lënë hapësirë për keqpërdorim në këtë inflacion. Nuk presim që ka për të pasur progres në këtë segment”, shtoi më tej deputetja Bajrami.
Ajo kritikoi për mënyrat e shpërndarjes së ndihmave me 100 euro, që, sipas saj, nuk janë zgjidhje ekonomike afatgjate, këto masa nuk duheshin zbatuar.
“10 euro për shtesat për fëmijë është qesharak, sepse nuk zgjidhet problemi ekonomik”, tha, ndër të tjera, Bajrami.
Ndërsa ministri iu përgjigj se këto janë të pasakta dhe sqaroi sërish angazhimin e tij për sanimin e gjendjes së rëndë ekonomike.
"Llogaritë po bëhen me pasaktësi", tha ministri Murati në përgjigjen e tij ndaj deputetes Bajrami.
Sipas tij inflacioni është humbja e fuqisë blerëse dhe shteti intervenon për ta mirëmbajtur, ndaj kemi bërë ndërhyrje për studentët, për familjet në asistencë sociale, etj.
(E plotësuar) Murati: Buxheti i vitit 2023 bën konsolidimin fiskal
Ministri Murati bëri të ditur projektbuxhetin për vitin 2023, ku niveli i shpenzimeve buxhetore parashihet të jetë tre miliardë e dyqind e dymbëdhjetë milionë euro, ku në kuadër të këtyre kategorive për paga e shtesa ka 745 milionë euro, mallra e shërbime 493 milionë euro, subvencione e transfero 1milrd e 98 milionë euro, si he shpenzime kapitale 813 milionë euro.
Ndërsa të hyrat, ministri Murati njoftoi se parashihet që të jenë dy miliardë e tetëqind e tetëdhjetë e katër milionë euro, ku nga këto të hyra parashihen të jenë dy miliardë e pesëqind e njëzet e pesë milionë euro parashihen të jenë të hyra tatimore, kurse pjesa tjetër parashihet të jetë pjesa jotatimore pra dyqind e gjashtëdhjetë e dy milionë euro.
Sipas ministrit ky buxhet parasheh konsolidimin e fiskal.
Ai shtoi se prej vitit të ardhshëm planifikimi buxhetor të parashihet e të kthehet në rregulla fiskale që nuk lejon tejkalim mbi dy për qind.
“Në kuadër të kësaj parashohim një trend pozitiv të rritjes ekonomike”, deklaroi ministri Murati, teksa bëri të ditur vështirësitë ekonomike për gjendjen e tanishme ekonomike, nga shkaku i luftës në Ukrainë, që ka vështirësuar dukshëm, megjithatë, siç tha ai, kemi arritur një rritje ekonomike, ndonëse me një nivel të ulët, krahasuar me vitin paraprak, por ë në vitin që vjen parashohim një rritje reale ekonomike deri në 5.5%, por që varet edhe nga faktorë të jashtëm, me stabilizim të produkteve ushqimore, të energjisë elektrike e të derivateve të naftës, etj.
“Borxhi publik do të mbahet në nivel të kontrolluar dhe stabilizuar ku parashihet të jetë 22.5% të brutoproduktit vendor, ndërsa deficiti do të kthehet në 2% të brutoproduktit vendor, ndërsa bilanci bankar i shfrytëzueshëm parashihet sipas legjislacionit në fuqi, pra 3% e brutoproduktit vendor, theksoi ministri Murati























