Lirohet Gjeloshaj, hapet lënda për sulm ndaj një zyrtari
Lindita Dinosha/RTklive
Ndaj kryetarit të Komunës së Tuzit dhe Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, i cili u arrestua më herët në policinë e Podgoricës, është hapur rasti në prokurori për veprën penale të sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Gjeloshaj është arrestuar të premten rreth orës 14:00, ku pas mbledhjes së informacioneve, Gjeloshaj është larguar nga ambientet e QS Podgorica.
“Në këtë rast, në Prokurorinë Themelore të Shtetit në Podgoricë, kundër Gjeloshajt është hapur rasti për veprën penale të sulmit ndaj një zyrtari gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, tha për RTMZ kreu i Prokurorisë në Podgoricë, Dushko Milanoviq.
Pas hetimeve, policia njoftoi se po ndërmerren masa dhe veprime të caktuara dhe se, sipas tyre, më vonë do të lëshojnë një deklaratë për këtë rast.
Sipas Portalit RTCG, Gjeloshaj ka protestuar për kontrollin e policisë rrugore dhe vendimin për dërgimin e automjetit me të cilin ndodhej për kontroll të jashtëzakonshëm teknik.
“Do të bëj kallëzim penal ndaj policëve, i keqtrajtuan fëmijët”
Kryetari i Komunës së Tuzit dhe lideri i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, ka thënë për Portalin RTMZ se është gënjeshtër e madhe që ka sulmuar policët sot në Podgoricë.
“Falë Zotit ka kamera në shërbimin e kontrollit teknik, kështu që gjithçka do të shihet. Të kërkosh kontroll teknik të jashtëzakonshëm të një automjeti pesë vjet të vjetër tregon qëllimin fillestar të keqtrajtimit. Unë nuk kam qenë as pjesëmarrës në trafik, por pas thirrjes kam shkuar për fëmijët e mitur, të cilët u mbajtën për më shumë se një orë në rrugë dhe u keqtrajtuan”, thotë Gjeloshaj.
Sipas tij, edhe pse ka elemente që Prokuroria e Podgoricës po reagon sipas detyrës zyrtare ndaj policëve, duket se asgjë nuk po funksionon, avokati i tij do të përgatisë dhe do të bëjë kallëzim penal për veprimet e policisë dhe gjithçka që kanë bërë ata sot.
"Tani është detyrimi im të parandaloj që fëmijët e tjerë të mos përjetojnë kurrë atë që përjetuan fëmijët e mi sot. Çfarë më bënë dhe si më trajtuan dhe çfarë më thanë për të më provokuar është më pak e rëndësishme tani, do të ketë kohë për të folur edhe për këtë. Ishte një ditë e vështirë për mua, por kam menduar se është e pamundur të përjetoja që organet e rendit të talleshin me lotët e një fëmije. Por, një gjë e di, se drejtësia do të vihet, shpresoj dhe dua që këtë ta bëjnë institucionet ”, tha Gjeloshaj.























