Kosova ia ndalon hyrjen ish-ministrit të Jashtëm të Serbisë
Sh.Gashi / RTKlive
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës (MPJD), ka njoftuar se nuk ia ka miratur sot hyrjen në Kosovë të Vuk Jeremiçit, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë.
"Mbështetja e Jeremiçit në parlamentin serb për atë që e kanë quajtur „riintegrim“ i Kosovës së pavarur në Serbi është i ngjashëm me planin e Putinit për „riintegrimin“ e Ukrainës – pra një recetë për luftë", thuhet në komunikatën e MPJD-së.
Sipas MPJD-së, Kosova nuk do të tolerojë urrejtjen dhe agresionin ndaj një shteti evropian dhe demokratik.
"Evropa dhe SHBA-të duhet të vëzhgojnë me vëmendje veprimet e klasës politike në Serbi dhe në rajon. Radikalizimi i ish-drejtuesit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është vetëm një paralajmërim më shumë se oreksi i Serbisë dhe Rusisë për territore nuk është ngopur ende", thuhet në komunikatën e MPJD-së.
Sipas MPJS-së, Rusia dhe Serbia nuk do të ndalen së krijuari gjithnjë e më shumë tensione në Ballkan për aq kohë sa SHBA-të dhe Evropa nuk dërgojnë sinjale të qarta dhe të fuqishme duke kërkuar me këmbëngulje zgjidhjen e vetme të qëndrueshme për krizat dhe paqëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor, pra duke kërkuar nga Serbia njohjen e realitetit të ri në Ballkan pas luftërave të saj shkatërruese.
"Kosova është dhe do të mbetet e pavarur dhe sovrane, përkrahëse e fortë e perspektivës evropiane dhe NATO-s dhe në kufi me Serbinë. Kosova dhe fqinjët e tjerë të Serbisë, të cilët ende nuk janë anëtarësuar në BE, as nuk janë sferë e ndikimit të Serbisë, dhe as nuk do të „riintegrohen“ ndonjëherë në „Botën Serbe“ të Vuçiçit dhe Putinit", thuhet në komunikatën e MPJD-së.























