Kurti: Me SHBA e BE, kemi komunikim të vazhdueshëm |Video
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Kurti: Me SHBA e BE, kemi komunikim të vazhdueshëm |Video

Valmira Saraçi-Sahatçiu/RTKlive

(Plotësuar) Kryeministri Kurti i është përgjigjur interesimit të gazetarëve edhe rreth raporteve me Shtetet e Bashkuara. Ai tha se asnjë vendim i tij, nuk e ka befasuar asnjë zyrtar amerikan e as evropian.

“Jemi në kontakt e komunikim të vazhdueshëm me ta. SHBA i kemi miq e partner”, tha Kurti.

 “Ne e kemi shtyrë një herë vendimin për 1 muaj dhe jemi marr vesh që kjo është shtyrja e fundit. Duke pasur parasysh brengën ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë, ne kemi bërë diferencim në qasje e sekuencim në zbatim të vendimit për targa”.

Kurti tha se nuk ka javë që nuk i bie të takohet me ambasadorin amerikan e evropian, e madje edhe dy herë në jave.

“E tash ne erdhëm në këtë konferencë pas takimit me komandantin e KFOR-it”, tha Kurti.

“Komunikimi është i vazhdueshëm. Nuk po flasim për njerëz që komunikojnë me  metodat e para dy shekujsh ku duhet dikush me karrocë e me kuaj të çojë një letër”, përshkroi Kurti.

“Ne jemi në kohë reale e në kontakt dhe nuk ka befasi këtu. Prandaj jemi të vendosur që ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë të mos e komprometojmë”.

Ai tha se në anën tjetër, gjithashtu edhe brengat që i kanë për paqen dhe sigurinë, gjithmonë i përfillin me seriozitetin e lartë.

 “Vigjilent gjithmonë, të brengosur shpeshherë, të frikësuar asnjëherë”, tha Kurti para gazetarëve.

I pyetur nëse situata mund të çojë drejt zgjedhjeve, ai ka ironizuar duke thënë se zgjedhjet kanë përfunduar edhe ato lokale edhe qendrore si dhe zgjedhjet në Vetëvendosje, raporton RTKlive.

Por, tha t’i vije keq që duhet të mbahen zgjedhje në komunat e veriut, pas dorëheqjes së kryetarëve atje.

 “Më vjen keq që tash do të na duhet të mbahen zgjedhje në komunat ku po dorëhiqen kryetarët e komunitetit serb, fatkeqësisht këto dorëheqje siç i kanë dhënë, qartazi  shpien drejtë zgjedhjeve në ato komuna”, tha kryeministri.

“Por  duhet të ndiqen afatet ligjore kushtetuese. Janë organet e veçanta që do të merren me këtë gjë”.

Kurti nuk ka dashur të flasë shumë për asociacionin, kur u pyet për këtë temë. Tha se përgjigje ka dhënë qysh nga viti 2013, raporton RTKlive.

“Ju e dini shumë mirë që pyetjeve tuaja për asociacionin iu përgjigjem tash e 9 vjet. Qe 9 vjet përgjigjem për asociacionin unë, nga 2013. Nuk ka gjëra të reja në përgjigjet e mija për pyetje të vjetra”.

Kurti: Kosova s’e refuzoi planin franko-gjerman, por dha vërejtjet e veta

Kryeministri i Kosovës ka folur hapur  për propozimin franko-gjerman, për të cilin  tregoi se në zyrë ia sollën në shtatorin e këtij viti, dy këshilltarët, ai i presidentit francez Macron dhe ai i kancelarit gjerman, Scholz.

Kreu i Qeverisë së Kosovës deklaroi se ai nuk e ka refuzuar këtë propozim franko-gjerman, që e ka mbështetetjen edhe të Brukselit dhe Uashingtonit.

“Unë e thash shumë qartë se qëllimi i Beogradit nuk është për të mos e pranuar planin, por për ta maskuar refuzimin e planit”, tha Kurti.

“Ata e kanë refuzuar këtë propozim. Tash i bëjnë këto drama që nuk duhet të shndërrohen në tragjedi për ta maskuar refuzimin”.

Kryeministri Kurti u shpreh se ajo çfarë Kosova ka thënë, është që në kuadër të propozimit franko- gjerman, por që i njëjti ka mbështetjen edhe të Brukselit dhe Uashingtonit, është parë si hap i duhur.

“Kjo meqenëse konceptet, nocionet që përdoren, janë vlera, për dallim prej dakordimeve të mëhershme që ishin përbrenda ideologjisë së zgjidhjeve të problemeve, ku thuhej se Kosova e ka këtë problem shumë të veçantë në komunat në veri dhe do t’ia bëjmë një zgjidhje super të veçantë”, tha Kurti, i cili sqaroi se e e ka vlerësuar këtë propozim si hap në drejtimin e duhur.

“Gjithçka ka filluar me 18 gusht, kur në takimin në Bruksel, pika e parë është korniza e marrëveshjes”.

“Unë jam i bindur se deri me 18 gusht nuk ka pasur dialog për marrëveshje, por kemi pasur dialog për dakordime të vogla, për koncesione e nganjëherë edhe dialog për dialog”.

Kurti tha se me 18 gusht, pika e parë ka qenë korniza e marrëveshjes dhe e dyta çështjet aktuale.

Kryeministri tregoi se me 9 shtator, ende pa u bërë 1 muaj pas takimit në Bruksel, në zyrë i shkuan këshilltarët e lartë të presidentit Macron e kancelarit Scholz, bashkë me Lajçakun.

“Ata kanë sjellë përmbledhje të ideve e të modeleve të cilat unë nuk i kam refuzuar, por kam thënë që janë bazë e mirë. Unë i kam vërejtjet e mija, dhe kritikat e mija ua kam thënë atyre”.

Mirëpo Kurti tha se nuk e ka kundërshtuar atë propozim.Por ndryshe sipas tij ka ndodhur me Serbinë.  “Përfundimisht jo që u kundërshtua, por u refuzua në Beograd, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë”. 

“Në mënyrë unanime ata e kanë refuzuar në Këshillin e Sigurisë në Beograd, prandaj po synojnë  të shndërrohet pasiguri në Kosovë”.

“Ne  nuk mund të lejojmë destabilizimin e Kosovës”, tha kryeministri Kurti.

Kurti: Serbia synon refuzimin e planit ‘franko-gjerman’ me tensione në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,  ka folur në një konferencë për media për situatën e fundit në veri të vendit.

Kreu i Qeverisë tha se situata e fundit e krijuar në zonat veriore të vendit, nuk ka të bëjë as me targa  të automjeteve as për Asociacionin dhe as për suspendimin e Gjuriqit si drejtor i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut.

Ai tha se e gjitha kjo ka të bëjë me refuzimin që Serbia ia ka bërë propozimit të planit të Parisit e Berlinit.

“Prandaj edhe çfarë po ndodhë tani,  shpjegohet më së shumti me përpjekjen e Beogradit për të ambalazhuar kundërshtimin e nismës franko- gjermane apo të propozimit të këtyre dy fuqive evropiane”, tha Kurti.

“Dhe tash duhet ta kamuflojnë këtë refuzim që ia kanë bërë Evropës e BE-së”.

Kryeministri Kurti rikujtoi se Vuçiq ka  koordinim të ngushtë  me Kremlinin dhe presidentin desputik, Putin, dhe për këtë po i përdorë ata të cilët ende vazhdojnë t’i dëgjojnë në Republikën e Kosovës, pra pjesëtarë të ndryshëm të strukturave ilegale.

Kreu i Qeverisë së Kosovës solli në vëmendje se presidenti i Serbisë pati takime të ndara me ambasadorin e Rusisë dhe atë të Kinës në Beograd. “E  kjo tregon qartë se Vuçiq takohet e koordinohet me Rusinë e Kinën dhe gënjen e zhgënjen Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian”.

Ai tha se Serbia qartazi është e interesuar për ta sabotuar dialogun dhe çfarëdo marrëveshje dhe rruga që e ka zgjedhur është në bashkëpunim me grupet kriminale në veri të vendit për kërcënimin e qytetarëve dhe të sigurisë në vend.

“Kjo rrugë nuk është e paqes e bashkëpunimit e as ndërtimit të marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore për çfarë ne angazhohemi”, u shpreh Kurti.

“Përpjekjet e tilla do të jenë të pasuksesshme sepse shteti ynë është i fortë demokratik i cili ka rritje ekonomike e shoqërore në çdo fushë e aspekt, duke qenë njëkohësisht i rreshtuar me BE, SHBA e NATO”.

Kreu I ekzekutivit,  duke folur për dorëheqjet e dorëzuara deri tash, tha se megjithëkëtë, mbarëvajtja e punëve dhe shërbimeve që ato i ofrojnë edhe më tej po vijon.

“Pavarësisht zhvillimeve,gjatë kësaj jave institucionet vartëse kanë vazhduar pa ndërprë përmbushjen e detyrave të tyre”.

Ai tha se  Qeveria e Kosovës dhe institucionet mbeten të përkushtuara për vlerat demokratike dhe evropiane të sundimit të ligjit, të të drejtave dhe lirive të njeriut, të pakicave, të pluralizmit politik, të paqes e të sigurisë.

Kurti tha se institucionet po vazhdojnë me realizimin e lehtësuar të procesit të regjistrimit të targave ilegale në ato RKS, përfshirë edhe zbatimin e sekuencuar të vendimit të fundit të qeverisë së 28 tetorit.

“Nga data 1 nëntor deri më tani janë shënuar 856 qortime apo vërejtje. Karshi thirrjeve dashamirëse të institucioneve të Republikës drejtuar qytetarëve të komunitetit serb për konvertimin e targave nga ilegale në ato RKS”.

“Ditëve të fundit janë intensifikuar kërcënimet dhe përpjekjet e Serbisë dhe presidenti të fqinjit tonë verior për destabilizimin e situatës në vendin tonë dhe këto kërcënime janë praktikisht të orientuara para së gjithash ndaj qytetarëve të vendit tonë nëpërmjet të ngjalljes së frikës dhe panikut”.

 


MË SHUME NGA Lajme