Dorëheqja e prokurorëve serbë, KPK-ja mban mbledhje të jashtëzakonshme
E.Hoti/RTKlive
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur një takim të jashtëzakonshëm pas ofrimit të dorëheqjes nga prokurorët dhe stafi administrativ i komunitetit serb në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës.
Sipas njoftimit të KPK-së, me këtë rast, anëtarët e Këshillit kanë kërkuar nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës dhe sekretariati i Këshillit Prokurorial që ta vlerësojnë gjendjen e krijuar dhe si njësi kompetente në kuadër të sistemit prokurorial të marrin masat e nevojshme dhe të paraqesin në këshill propozimet konkrete për mirëfunksionimin e punës në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës.
Gjatë këtij takimi, Këshilli Prokurorial nuk u lëshua në shqyrtimin e dorëheqjeve të ofruara nga prokurorët dhe stafi administrativ, ngase paraprakisht nevojitet një analizë dhe vlerësim i gjendjes së krijuar nga organet kompetente lidhur me përgjegjësit eventualë që kanë shkaktuar këtë gjendje.
"Në fund të diskutimit për gjendjen e krijuar në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, anëtarët e Këshillit, thanë se mbetën të përkushtuar për koordinimin e veprimeve me institucionet e tjera, me qëllim të mbarëvajtjes së punëve pa ndërprerje në këtë prokurori, por edhe të funksionimit të një ambienti të sigurt juridik në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Nga organet kompetente të Kosovës u kërkua të ofrojnë siguri për punonjësit dhe objektin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicën Veriore", thuhet në njoftim.
Po ashtu, Këshilli ka konfirmuar listën e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë së Apelit dhe ka themeluar Komisionin për Rishqyrtim për pozitën e shpallur për Drejtor të Përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Drejtor të Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë.























