Pas votimit të Ligjit, Haxhiu paralajmëron konkurs të ri për noterë
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Pak kohë pasi Ligji për Noterinë kaloi me 63 vota deputetësh, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka mirëpritur këtë votim.
Haxhiu ka thënë se janë 17 komuna pa noterë dhe ky ndryshim që iu bë Ligjit të mëparshëm do t’u mundësojë qytetarëve të marrin shërbime noteriale në vendet ku jetojnë.
“Mirëpres votimin në lexim të dytë të Ligjit për Noterinë. Janë 17 komuna pa noterë. Ky ndryshim do të mundësojë që qytetarët të marrin shërbimet noteriale në vendet ku jetojnë”, ka shkruar Haxhiu.
Tutje ministrja që udhëheqë me dikasterin e drejtësisë tha se pas plotfuqishmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës lidhur me këtë çështje, Ministria e Drejtësisë, me qëllim të rritjes së cilësisë dhe transparencës, do të shpallë konkursin e ri për noterë.
Plotësim ndryshimi i Ligjit për Noterinë ishte nismë e deputetëve dhe nuk kishte asnjë amendament nga komisionet kuvendare.
























