Japonia vlerëson lart qëndrimin e Kosovës ndaj luftës në Ukrainë
K.Kasumi/ RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin jorezident të Japonisë për Kosovë, Akira Mizutani, i shoqëruar nga i ngarkuari me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Keisuke Yamanaka.
Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për mundësitë e reja. Kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për partneritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë dhënë shtetit dhe popullit të Kosovës.
Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit, Kurti deklaroi se nëpërmjet ndihmës në fusha, si mjedisi, shëndetësia, siguria e ushqimit, menaxhimi i pyjeve dhe menaxhimi i katastrofave natyrore, Japonia ka ndihmuar drejtpërdrejt qytetarët e Republikës.
Ai shtoi se për Japoninë, Republika e Kosovës është partnere e besueshme në Ballkanin Perëndimor, ndërkaq për kompanitë japoneze mundësi shumë e mirë për investime tha, ndër të tjera, kryeministri Kurti.
Ndërkaq ambasadori japonez Mizutani tha se Japonia vlerëson lart qëndrimin e Kosovës ndaj luftës në Ukrainë, duke shtuar se Japonia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën me të cilën ndan vlera dhe qëndrime të përbashkëta.
























