Berisha: Fyerje seanca për energjinë, kur veriu është i tensionuar
MuharremMiftari/RTKlive
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha, kritikoi Kuvendin e Kosovës lidhur me seancën e sotme plenare për energjinë, duke e konsideruar si fyerje për publikun, në kohën kur situata në veri është tensionuar.
“Por sot të thërrasësh seancë të jashtëzakonshëm për këtë çështje që kemi debatuar, sa e sa herë, e që situata në veri të vendit është aq e tendosur që cenon sigurinë nacionale, si dhe funksionalitetin e shtetit, konsideroj se është fyerje për ne deputetët, një qasje e tillë”, deklaroi deputeti Berisha në "Info Plus".
Ai konsideron se debati për energjinë bëhet kur situata në vend është gjithçka në rregull.
Më tej, për takimin e kryeministrit Kurti me krerët opozitarë, deputeti Berisha vuri në pah epilogun e këtij takimi, duke shtuar se përfundimi i takimit ishte pa ndonjë rezultat, teksa shtoi se kryeministri nuk kishte fare ide për gjetjen e rrugëzgjidhjes të kësaj situate ku jemi.
“Tani në veri jemi një hap para zbatimit të, siç e quante dikur kryeministri, ‘zajednicës’, se nuk kemi më të bëjmë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, deklaroi Berisha.
E lidhur me Asociacionin, ku kryeministri Kurti mohon zbatimin e marrëveshjes për këtë çështje, deputeti Berisha vuri në dukje se pikërisht kryeministri Kurti përmendi planin “franko-gjerman” për zgjidhjen e çështjes Kosovë –Serbi, duke konsideruar si një bazë e mirë për arritjen e marrëveshjes e që sipas Berishës, kjo bie ndesh me deklaratat e tij kundrejt Asociacionit.
“Ky plan ka pasur për bazë mosnjohjen e dy shteteve si pasojë e Luftës së Dytë Botërore më synimin e bashkimit në një të ardhme, kurse Kosova nuk ka asnjë objektiv bashkimi me Serbinë në një të ardhme. Ne mund të jemi pjesë e BE-së bashkërisht, si shtete të pavarura, pjesë e NATO-s, e OKB-së, por kurrë të jemi bashkë me Serbinë”, deklaroi Berisha në Info Plus.
Ndërkaq, Nezirt Kraki , njohës i çështjeve politike, kritikoi qasjen e opozitarëve të tanishëm, që dikur ishin pjesë e qeverisë, të cilët bënin shou politik, duke lënë anash interesat e vendit.























