Kurti: Qeveria e përkushtuar për dialog dhe sundim të ligjit
M.Shefkiu/RTKlive
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se bojkoti i serbëve në veri është i nxitur dhe orkestruar nga Beogradi zyrtar dhe është rezultat i veprimeve të tyre të vazhdueshme destruktive në dialogun ndërmjet dy vendeve. Këto komente Kurti i bëri gjatë një takimi, siç e quan Qeveria, miqësor me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot dhe zëvendësdrejtorin nga Ministria për Punë të Jashtme dhe Evropë, Sylvain Guiaugué.
Kuti ka ritheksuar, se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për ta vazhduar dialogun dhe është angazhuar për rend dhe sundim të ligjit, paqe e siguri në Kosovë dhe rajon.
Në këtë takim, sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, kryeministri ka përmendur suksesin e arritur në procesin e Berlinit përmes nënshkrimit të tri marrëveshjeve, "që është lajm i mirë për qytetarët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor".
Kryeministri kosovar ka njoftuar miqtë francez me mbarëvajtjen e punës së institucioneve, situatën e sigurisë në përgjithësi, me theks në pjesën veriore të Kosovës, përkushtimin për Agjendën e Reformave Evropiane dhe përsëriti urgjencën për mbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.
Ndërkaq, ambasadori francez, sipas të të njëjtit njoftim, e ka ftuar kryeministrin Kurti në javën e Frankofonisë, e cila fillon javën e ardhshme me shfaqjen e filmave nga kinematografia franceze. Me këtë rast, kryeministri Kurti ka shprehur mirënjohje për përkrahjen e dhënë nga Franca në fushën e artit dhe pasurimin e skenës kulturore në Kosovë.
Sipas njoftimit të ekzekutivit, ky takim është realizua me rastin e vizitës së një delegacioni të gjerë të shtetit të Francës në Kosovë i përbërë nga zyrtarë nga Ministria për Punë të Jashtme e Evropë dhe Ministria e Punëve të Brendshme, me ç'rast janë duke u zhvilluar takime teknike punuese me ministritë e Kosovës në fushën e bashkëpunimit policor, luftën kundër krimit të organizuar e terrorizmit, menaxhimit të migrimit, azilit, liberalizimin e vizave, frankofoninë dhe marrëdhëniet bilaterale.























