Pozitë e opozitë e konsiderojnë të domosdoshëm unitetin politik/Video
MuharremMiftari/RTKlive
Përfaqësuesit e partive politike, nga pozita e opozita, të pranishëm në emisionin "RTK Prime", janë të mendimit se Kosovës, në periudhën e fundit kur situata në veriun e vendit është tensionuar, i duhet uniteti. Të gjithë të pranishmit në emision, Arbër Rexhaj, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajdar Beqa nga Partia Demokratike e Kosovës, Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Time Kadrijaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e konsiderojnë të domosdoshëm unitetin politik.
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexha, duke shpalosur historikun e ngjarjeve që nga ndalimi i zgjedhjeve serbe në Kosovë, referendumi etj, e deri te reciprociteti për targa dhe ngjarje e sotme, nuk është për t’u befasuar, sepse, sipas tij, nuk është tensionimi i parë i veriut të vendit, ngase ka pasur edhe më herët, por janë qeveritarët serbë që shkaktojnë këtë.
“Ajo që mund të them është se Serbia po tenton ta rikthejë e ta vendosë agjendën e saj që, në fakt, është Asociacioni me kompetenca ekzekutive dhe krejt çfarë bën tani Serbia mbi strukturat e Listës Serbe, duke dhënë dorëheqje nga institucionet e vendit, dëshiron që Kosovën ta shtyj në drejtim të themelimit t ë ‘Zajednicës’, por një gjë dua të them se Lista Serbe nuk përfaqëson interesat e komunitetit serb në Kosovë, por interesin e Serbisë në Kosovë”, deklaroi Arbër Rexhaj në "RTK Prime".
Beqa: Qeveria të fokusohet në marrëveshjet përfundimtare
E deputeti Hajdar Beqa, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, duke elaboruar veprimet e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, lidhur me gjendjen në vend, me theks të posaçëm në veri të vendit, shtoi se si ecuria e ngjarjeve dihet se si kanë ndodhur, por që shprehu vërejtje ndaj qeverisë në kuptimin e strategjisë.
“Mendoj se Qeveria e Republikës së Kosovës është dashur të fokusohet në marrëveshjen e përgjithshme përfundimtare, ku hyjnë edhe këto marrëveshje tjera, ku do të përfshiheshin edhe targat dhe problemet tjera”, deklaroi deputeti Beqaj.
Tahiri: Kosovës i duhet një udhëheqje e matur që nuk bie në grackat e Beogradit
Ndërkaq përfaqësuesi i LDK-së, Xhafer Tahiri lidhur me gjendjen e tanishme në vend theksoi vendit i duhet një udhëheqje e matur, e cila ka për synim, në njërën anë të integrojë qytetarët e Kosovës brenda institucioneve të saj, por edhe Kosovën në institucionet ndërkombëtare dhe, në anën tjetër, të mos bie në grackat e Beogradit, në këtë rast.
“Pra na duhet një udhëheqje e matur që nuk bie në grackat e Beogradit, që nuk janë as të reja, as të tashme, por janë historike” , deklaroi Tahiri në "RTK Prime".
Prandaj, vlerëson Tahiri, Kosovës i duhet një bashkërendim me aleatët e saj, që na kanë ndihmuar të arrijmë lirinë dhe pavarësinë tonë.
Kadrijaj: Veprimi i Qeverisë Kurti të harmonizohen me aleatët tanë strategjikë
Se Serbia ka tendencën e destabilizimit të vendit e tha edhe deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, e cila në mes tjerash shtoi se Qeverinë e Kosovës partitë opozitare e kanë përkrahur dhe do ta përkrahin, natyrisht, për interesat e Kosovës. Sipas saj, në këtë pikë të gjithë jemi unik, por tutje ajo shtoi se qeveria të jetë e kujdesshme me aleatët tanë, sidomos tani kur po qarkullon një plan i njohur si “plani franko-gjerman”.
“Veprimet Qeverisë Kurti të bëhen të harmonizuara me aleatët tanë strategjikë, sidomos me SHBA”, deklaroi deputetja Kadrijaj.
Ndërsa lidhur me daljen nga takimi me kryeministrin Kurti të kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj, deputetja Kadrijaj sqaroi se në takimin e mëhershëm me kryeministrin Kurti, ku është diskutuar për planin franko-gjerman, në të cilën parashihej zgjidhja finale e çështjes mes Kosovës e Serbisë, kryetari Haradinaj ka diskutuar për pikat e planit, ku edhe ka mbështetur në këtë drejtim dhe ka sugjeruar që të ketë kujdes me aleatët tanë.
“Ndërkaq në takimin e sotëm, është menduar se kryeministri Kurti do t’i njoftonte për planin e daljes nga kriza ku jemi tani, porse kryeministri në vend të kësaj ka bërë ligjërata liderëve të opozitës, që, për më tepër, nuk ka pasur të bëjë fare me gjendjen në veri dhe në gjithë vendin. Prandaj zoti Haradinaj ka braktisur takimin”, shtoi deputetja Kadrijaj.























