Presidentja Osmani mirëpret hapjen e konsullatës së Polonisë në Prishtinë
BKT
Foto: Ilustrim
Lajme

Presidentja Osmani mirëpret hapjen e konsullatës së Polonisë në Prishtinë

Jeton Musliu/RTKlive

(Plotësuar) Pas 14 vjetësh, Polonia vendos marrëdhënie diplomatike me Kosovën.

Ndaj këtij zhvillimi, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur vendimin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Poloninë.

Me një postim në llogarinë e saj në Twitter, presidentja deklaroi se me një marrëveshje të tillë, hapet një nivel i ri i bashkëpunimit në mes të dy vendeve.

"Mirëpresim këtë vendim që është dëshmi e forcimit të partneritetit dhe vizionit që ndajmë për paqen dhe sigurinë në Evropë". 

14 vjet pas njohjes së pavarësisë, Polonia hap konsullatë në Kosovë

Për herë të parë që nga njohja e pavarësisë së Kosovës me 26 shkurt 2008, Polonia ka vendosur të ketë përfaqi diplomatike në Republikën e Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme të Polonisë ka njoftuar se Qeveria e Republikës së Polonisë ka lidhur marrëveshje me Qeverinë e Republikës së Kosovës në formë të shkëmbimit të notave për vendosjen e marrëdhënieve konsullore.

“Marrëveshja zbaton Rezolutën nr. 184/2022 të Këshillit të Ministrave (Polonisë) të datës 5 shtator 2022 për vendosjen e marrëdhënieve konsullore ndërmjet Republikës së Polonisë dhe Republikës së Kosovës”, shkruan në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Polonisë.

Aty sqarohet se Polonia ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës me rezolutën e Këshillit të Ministrave të datës 26 shkurt 2008, por e njëjta është përmbajtur në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe konsullore.

“Marrëveshja e arritur sot do t'u mundësojë qytetarëve polakë të kenë një nivel optimal të mbrojtjes konsullore në territorin e Republikës së Kosovës”, shkruan në këtë njoftim.

Më tej theksohet se Polonia mbështet integrimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe jep kontributin e saj aktiv në sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon, duke përfshirë përmes kontingjentit ushtarak polak si pjesë e KFOR-it dhe misionit policor të EULEX-it në Kosovë, në të cilin ky vend ka qenë kontribuesi më i madh për shumë vite.

Deri më tash, Polonia nuk ka pasur as konsullatë, por nuk ka as ambasadë në Republikën  e  Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme