Si do të zëvendësohen mandatet e deputetëve të dorëhequr serbë?
REL
Dhjetë deputetë të Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve të Kosovës - kanë dhënë dorëheqje nga mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës, ashtu si edhe zyrtarë të tjerë serbë në institucionet në veri të vendit.
Dorëheqjet kanë nisur fundjavën e kaluar, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar planin prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Komuniteti serb, si më i madhi në mesin e komuniteteve pakicë në Kosovë, i ka të garantuara me Kushtetutë dhjetë vende në Kuvendin e Kosovës, i cili ka gjithsej 120.
Se çfarë do të ndodhë tani me mandatet vakante, për Radion Evropa e Lirë flasin ekspertë të Ligjit për zgjedhje dhe të Kushtetutës së Kosovës.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 14 shkurt të vitit 2021, Lista Serbe ka fituar më së shumti vota nga partitë e komunitetit serb në Kosovë.
Sipas rezultatit të këtyre zgjedhjeve, mandatet i kanë fituar deputetët: Sllavko Simiq, Igor Simiq, Millana Nikolliq, Zoran Mojsilloviq, Ivan Todosijeviq, Verica Qeraniq, Branisllav Nikolliq, Millosh Peroviq, Lubinko Karaxhiq dhe Jasmina Deçiq.
Megjithatë, Todosijeviq nuk e ka marrë mandatin e deputetit, për shkak të një dënimi nga Gjykata në Prishtinë, dhe vendin e tij e ka zënë Dragana Antonijeviq.
Sipas procedurave që parasheh edhe ligji, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë më 8 nëntor kërkesën nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që t’i rekomandojë emrat, të cilët do t’i zëvendësojnë deputetët e Listës Serbe që kanë dhënë dorëheqje.
Tani, KQZ-ja ka pesë ditë pune kohë për t’iu përgjigjur kërkesës së presidentes.
Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë parasheh që në rast të lirimit të një mandati nga një deputet - për çfarëdo arsyeje, përfshirë edhe dorëheqjen - zëvendësimi i tij bëhet “nga kandidati i ligjshëm në radhë i së njëjtës gjini, i cili ka fituar numrin më të madh të votave” në emër të listës me të cilën ka garuar.
Në zgjedhjet e fundit, Lista Serbe ka garuar me 20 kandidatë, që do të thotë se KQZ-ja mund t’i propozojë 9 kandidatët e mbetur për t’u betuar si deputetë.
Këta kandidatë janë: Millan Kostiq, Zoran Maksimoviq, Svetisllav Gjokiq, Ksenija Bozhoviq, Radosh Mihajlloviq, Bilana Makshiq, Millan Joksimoviq, Nenad Radenkoviq, Ollivera Zdravkoviq.
Komisioni Qendror Zgjedhor nuk i është përgjigjur kësaj pyetjeje të Radios Evropa e Lirë deri në publikimin e këtij artikulli.
Por, ish-kryetarja e KQZ-së dhe gjyqtarja, Valdete Daka, thotë se për deputetë mund të propozohen edhe serbë që kanë garuar në zgjedhje nga subjekte të tjera politike.
“Nëse ata [kandidatët nga Lista Serbe] refuzojnë ta marrin mandatin, aplikohet e njëjta procedurë derisa të ketë kandidatë nga ai subjekt. Nëse nuk ka nga ai subjekt, atëherë kërkohen nga subjektet që kanë garuar në zgjedhjet e fundit të përgjithshme për vendet e rezervuara për etnitetin serb”, thotë Daka për Radion Evropa e Lirë.
Sipas të dhënave të KQZ-së, në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë garuar edhe dy subjekte të tjera nga komuniteti serb: Lidhja Demokratike Serbe dhe Iniciativa Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Kandidatë nga e para kanë qenë: Sllavisha Petkoviq, Mihajllo Shqepanoviq, Jasmina Zdravkoviq, Srbolub Andrejeviq dhe Esada Rexhepi, ndërsa nga e dyta: Millan Dabiq, Cvetko Velkoviq dhe Rada Trajkoviq.























